Lidhje

Forcat turke vrasin rrëmbyesin e një trageti

  • Zëri Amerikës

Forcat turke vrasin rrëmbyesin e një trageti

Forcat turke vrasin rrëmbyesin e një trageti

Forcat turke të sigurisë kanë qëlluar për vdekje një të dyshuar kurd sot duke i dhënë fund një drame 12 orëshe të rrëmbimit të një trageti të vogël udhëtarësh. Ministri i brendshëm turk tha se personi i qëlluar kishte në trup një jelek me eksplozivë plastikë.

Ministri i Brendshëm Idris Naim Sahin tha se rrëmbyesi i identifikuar si Mensur Guzel në momentin kur u qëllua kishte në trup 450 gram eksploziv plastik.

Zoti Sahin foli sot gjatë një konference për shtyp që u transmetua nga televizionet, disa orë pasi forcat e sigurisë qëlluan për vdekje të dyshuarin.

Më herët guvernatori i provincës kishte thënë se eksplozivi që kishte rrëmbyesi ishte fallso.

Forcat e sigurisë e vranë të dyshuarin gjatë një operacioni para agimit në tragetin Kartepe, i ankoruar në portin Silivri, në përëndim të Stambollit, pasi kishte mbetur pa karburant. 24 personat që ndodheshin në traget nuk u lënduan.

Rrëmbyesi, në përpjekje për të tërhequr vëmendjen për luftën e Turqisë kundër rebelëve kurdë, të cilët kërkojnë më shumë autonomi, kishte kërcënuar se do të aktivizonte eksplozivin dhe e rrëmbeu tragetin pak kohë pasi ishte nisur nga porti i qytetit veripërëndimor të Izmitit të premten në mbrëmje.

Trageti i rrethuar nga anijet e rojes bregdetare ka lundruar në Detin Marmara derisa iu harxhua karburanti pranë portit Silivri.

Forcat detare dhe policia anti-terroriste kryen një operacion të befasishëm sot para agimit duke e vrarë menjëherë rrëmbyesin, tha guvernatori i provincës së Stambollit Huseyin Avni Mutlu. Guvernatori tha se besohet se grupi kryesor i rebelëve kurdë, Partia Punëtore e Kurdistanit, mund ta ketë organizuar këtë rrëmbim, por ata nuk kanë marrë përgjegjësinë.

Autoritetet thanë se në traget ishin 18 udhëtarë, 4 anëtarë të ekuipazhit dhe dy persona të tjerë.

Rrëmbyesi u kishte marrë telefonat celularë udhëtarëve në traget. Televizioni TRT tha se forcat speciale dhe policia anti-terroriste kishte notuar në drejtim të tragetit për të kryer sulmin e befasishëm ndaj rrëmbyesit.

Guvernatori Mutlu tha se rrëmbyesi kishte një pajisje me një kabllo elektrike dhe një buton por ekpertët e bombave po përpiqen të verifikojnë nëse ato ishin të lidhura me eksplozivin, siç kishte pretenduar rrëmbyesi.

Udhëtarët u evakuuan me shpejtësi nga trageti ndërkohë që ekspertët filluan të kontrollonin për eksplozivë në bord.

Policia publikoi një regjistrim të kamerave të sigurisë ku sipas tyre shihet rrëmbyesi me një çantë duke ecur në terminalin e tragetit.

XS
SM
MD
LG