Lidhje

Ekstremizmi në Ballkan: ideologjia radikale

  • Jeff Swicord

Ndërsa kamera lëviz përballë një grupi fëmijësh boshnjakë që mbajnë flamurin e të është quajturit grup terrorist “Shteti Islamik”, ata brohorasin emrin e udhëheqësit të grupit ekstremist Abu Bakar Al-Baghdadi. Djemtë nën moshën 10 vjeçare, shumë prej tyre biondë dhe me tipare evropiane, japin paralajmërime për Amerikën: “Varri juaj do të jetë në Siri” shprehen ata.

Kjo video është një prej shumë reklamave të prodhuara me mjeshtri dhe të publikuara nga Shteti Islamik dhe që kanë për objektiv Ballkanin. Përgjatë rajonit të Ballkanit, zyrtarët e sigurisë thonë se po vazhdon një luftë për zemrat dhe mendjet, ndërsa fëmijët shpesh janë vetë objektivi i kësaj propagande. Vjekoslav Vukovic është zëvendës ministër i sigurisë në Bosnje.

"Tani për tani, jemi në fazën ku na duhet të luftojmë për procesorët që ata u fusin njerëzve në kokë. Nuk është më fjala për luftëtarë të huaj. Kjo është çështja kryesore, ideologjia. Kjo është ajo ideologji radikale që është shumë e pranishme sot.”

Shumë ballkanas, kryesisht nga Bosnja dhe Kosova dhe disa nga Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria, kanë shkuar të luftojnë në Siri. Nuk ekziston një përgjigje e saktë lidhur me arsyen se pse ballkanasit janë joshur drejt ideologjisë radikale islamiste, ndërsa ekzistojnë disa fije të përbashkëta. Shumë fajësojnë politikat jofunksionale dhe përkeqësimin ekonomik pas luftës në rajon.

Në Bosnjë, papunësia mes grupmoshës 15-24 vjeçare është 63 përqind ose më e larta në botë. Në Kosovë, është rreth 30 përqind. Si rezultat ka lindur edhe është një ndjenjë e përgjithshme e shpërbërjes dhe humbjes së shpresës.

Vlado Azinovic është profesor i shkencave politike në Universitetin e Sarajevës:

“Fatkeqësisht po jetojmë në një shoqëri që po dështon. Rregullat e pranuara më parë botërisht për etikën, moralin dhe vlerat shoqërore dhe që egzistonin para luftës, tani janë shpërbërë. Që pas luftës nuk nuk kemi gjë të re në këtë drejtim.”

Profesori thotë se ideologjia radikale islamiste shpesh e mbush këtë boshllëk të krijuar. Shumë prej atyre që shkojnë në Siri vijnë nga familje të shpërbëra me pak ose pa orientim prindëror. Ai thotë se shpesh ata mbështeten tek idividë që pretendojnë se janë udhëheqës fetarë dhe mund të shtjellojnë kompleksitetet që ka bota dhe qëndrimin që ata veçanërisht duhet të mbajnë. Padyshim, këta udhëheqës të vetëquajtur, u ofrojnë atyre pikpamjet më të thjeshta bardh e zi që vetë njerëzit janë të gatëshëm të përqafojnë.

Një Mesazh i Fuqishëm

Makina e përgatutur mirë mediatike e Shtetit Islamik po e përdor vazhdimisht këtë vakum. Faqet e saj zyrtare janë të bllokuara, kështu që grupi përdor terma kërkimi dhe hashtag për të ndarë informacionin publikisht me pasuesit. Një valë videosh të realizuara me cilësi të lartë, disa shokuese dhe të dhunshme, të tjera që përshkruajnë jetën xhihadiste “romantike”, janë të gatshme për ata që i kërkojnë në internet.

Një ish-anëtar i Muxhahedinëve boshnjakë dhe Al Kaidës, Aiman Dean, thotë se 20 vjet më parë, radikalët i përhapnin mesazhet e tyre tek grupe të vogla. Tani interneti e ka ndryshuar këtë prirje.

"Tani unë mund të predikoj, të krijoj një video dhe ta publikoj atë në internet. Kështu unë mund të hyj në shtëpinë e mijëra, ndoshta dhjetëra mijëra njerëzve. Pastaj, në qoftë se ata bëhen kuriozë, ata mund të shkojnë në mediat sociale, si Twitter. Në thelb ata do të kërkojnë njerëz që përhapin mesazhin dhe si pasojë fillon radikalizimi dhe rekrutimi."

Në rastin e Husein Bosnic, të mashtruarit nuk iu duhet të shikonin larg. Një imam, që është quajtur në mënyrë jo-zyrtare udhëheqësi i komunitetit Salifi me pikëpamje xhihadiste në Bosnje, u dënua kohët e fundit me shtatë vjet burg për “nxitje publike, rekrutim dhe organizimin e një grupi terrorist.”

Në predikimet e tij të publikuara në Youtube, ai u thoshte pasuesve se vrasja e njerëzve të pafe, ose jo-myslimanëve do t’i çlirojë ata nga çdo mëkat i mëparshëm.

Të paktën gjashtë qytetarë boshnjakë që morën pjesë në predikimet e tij thuhet të jenë vrarë në Siri; të tjerët ende mbeten aty. Shqetësimi për zyrtarët e sigurisë në rajon është se çfarë ndodh kur këta luftëtarë kthehen në atdhe të stërvitur me armë ushtarake dhe eksplozivë?

“Shqetësimi im është çfarë do të ndodh nëse ata vendosin se xhihadi është tani në Sarajevë, në Banja Luka apo Mostar“, tha zëvendës ministri boshnjak i Sigurisë Vjekoslav Vukovic.

Lufta kundër ekstremizmit

Komunitetet në mbarë rajonin kanë filluar të luftojnë kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Në një klasë në Shkollën e Mesme Bahri Haxha pranë Prishtinës, nxënësit pyeten se si grupet si Fronti al-Nusra rekrutojnë të rinjtë. Të ndarë në grupe me nga tetë vetë, nxënësit të mbledhur rreth bankave shkollore, shkruajnë në letër arsyet që ekstremistët mund të përdorin për t’i tërhequr ata.

I pranishëm në këtë aktivitet është një grup nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, që drejton diskutimin.

"Ky është një problem rajonal, një kërcënim rajonal dhe një sfidë rajonale dhe nxënësit e shkollave të mesme janë të pambrojtur nga kjo” thotë Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Secili grup i nxënësve sjell një listë argumentash para klasës dhe kështu fillon një diskutim. Zoti Perteshi dhe stafi i tij hedhin nga një këndvështrim ndryshe për secilin prej argumenteve të paraqitur nga nxënësit. "Qëllimi është që t’i mësojmë ata t’i shohin gjërat me një sy më kritik", thotë ai. "Pastaj ne i ndihmojmë ata të ndërtojnë një strategji të re për të trajtuar këtë problem".

Zoti Perteshi thotë se problemi i ekstremizmit mund të zgjidhet vetëm nga shoqëria si një tërësi, pra institucionet qeveritare, shkollat, OJQ-të dhe, më e rëndësishmja, bashkësitë fetare duhet të japin të njejtin kontribut.

Në Mitrovicë, Imami Enis Rama është marrë me përpjekjet kundër ekstremizmit për disa vite.

Ai ka biseduar me disa të rinj që ishin në rrezik të shkonin në Siri. "Ka shumë sfida për të rinjtë këtu," thotë ai. "Nuk ka mundësi të mjaftueshme për t’i mbajtur ata të angazhuar këtu. Dhe në qoftë se nuk ka mundësi për ta këtu, atëherë ata do ta derdhin energjinë e tyre diku tjetër".

Ai thotë se një pjesë e madhe e luftës kundër ekstremizmit është zbërthimi i mesazhit të militantëve.

"Ne u shpjegojmë atyre se çdo qenie njerëzore ka disa projekte në jetë. I pari dhe kryesori duhet të jetë për të zhvilluar dhe rindërtuar vendin e tyre. Sepse çdo vend ka njerëzit e vet - ata duhet të bëjnë pjesën e tyre të punës. Ata nuk ka pse të shkojnë atje për të përmbushur misionin e jetës së tyre."

Zyrtarët e sigurisë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës e pranojnë se rajoni ka qenë i ngadalshëm në reagimin ndaj këtij problemi, por ata thonë se është bërë përparim në këtë drejtim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG