Lidhje

Joaquin "El Chapo" Guzman dhe ekstradimi i mundshëm në SHBA


Meksika ka filluar procesin për të ekstraduar trafikantin famëkeq të drogës meksikanin Joaquin "El Chapo" Guzman në Shtetet e Bashkuara, ku ai përballet me një sërë akuzave për qindra tonë kokainë, heroinë dhe drogat e tjera që ka dërguar nga përtej kufirit.


Qeveria meksikane, në të kaluarën, ka refuzuar kërkesat e SHBA për dorëzimin e Guzmanit, por ndryshoi qëndrimin pas arratisjes së tij për herë të dytë nga burgu gjashtë muaj më parë dhe u kap pas një shkëmbim zjarri me autoritetet të premten e kaluar. Agjentët e Interpolit në Meksikë shkuan të dielën në burg afër kryeqytetit meksikan, ku ai po mbahet, për të dorëzuar dy urdhëra ekstradimi.

Procesi ligjor për të dërguar Guzmanin në Shtetet e Bashkuara mund të zgjasë me muaj, por autoritetet meksikane janë duke kërkuar për të vepruar shpejt, ndërsa avokatët e Guzmánit thonë se do t’i kundërshtojnë përpjekjet e ekstradimit.

Guzmani përballet me akuza si pastrimin e parave, trafikimin e drogës, rrëmbime dhe vrasje në Shtetet e Bashkuara. Ai mund të dërgohet në një nga disa qytete të SHBA për gjykim, duke përfshirë Nju Jorkun apo Çikagon, ku autoritetet e kanë shpallur atë "Armik Publik numër 1". Për herë të parë Çikago e ka përdorur këtë emër për bosin e krimeve Al Kapone në kulmin e luftës për ndalimin e shitjes së alkoolit në vitin 1930.

Edhe pse autoritetet meksikane e kanë mbyllur Guzmanin në të njëjtin burg nga ku ai u arratis në korrik, ata po kërkojnë të marrin në pyetje aktorin amerikan Sean Penn, i cili intervistoi bosin e drogës në tetor dhe e postoi shkrimin në faqen e internetit të revistës Rolling Stone të shtunën. Aktorja meksikane Kate del Castillo, ndihmoi në organizimin e takimir Penn - Guzman.

Autoritetet meksikane thonë se ata mësuan për këtë takim 7 orësh, dhe e gjurmuan shefin drogës në shtetin Sinaloa. Intervista Penn - Guzman ngjalli kritika në Shtetet e Bashkuara, ndërsa kandidati republikan për president, senatori i Floridës, Marco Rubio, e quajtur atë "takim grotesk".

Gazetarët vunë në pikëpyetje marrëveshjen e Pennit për të lejuar Guzmanin të shqyrtonte artikullin para se të botohej

Në intervistë, Guzman u mburr duke thënë: "Unë ofroj më shumë heroinë, methamphetamine, kokainë dhe marijuanë se kushdo tjetër në botë. Unë kam një flotë nëndetësesh, aeroplanë, kamionë dhe motorskafë." Aktori Penn e përshkroi Guzmanin si "krejtësisht pa penduar."

"Në qoftë se nuk ka konsum, nuk do të ketë shitje," thotë Guzman për trafikimin e drogës. "Është e vërtetë se konsumi, ditë pas dite, bëhet më i madh. Pra, droga shitet e shitet."

Arratisja e dytë e Guzmanit në 14 vitet e fundit, më 11 korrik u realizua nëpërmjet një tuneli 1.5 kilometra, gërmuar në fshehtësi nga qelia e tij deri në një fshat aty afër.

Arratisja vuri në pozitë të vështirë administratën e presidentit Enrique Pena Nieto, i cili ishte lavdëruar për punën agresive kundër trafikantëve të mëdhenj të drogës në Meksikë.

Në artikullin e tij, aktori Penn thotë se vitin e kaluar Guzman dërgoi inxhinierët e tij në Gjermani "për tre muaj trajnim se si duhej gërmuar nën burg." Ai thotë se një herë Guzman zbriti në tunel dhe ishte në gjendje të dilte jashtë me anë të një mjeti me një motor i modifikuar për lëvizje në mjedis me pak oksigjen.


Sean Penn e planifikoi intervistën ndër kohë që ishte duke qëndruar në të njëjtin hotel të Nju Jorkut ku ndodhej edhe presidenti meksikan. Penn thotë se një person nga delegacioni i presidentit meksikan i kërkoi atij të bënin një foto selfie në makinën e blinduar që do të transportonte presidentin e Meksikës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Arratisja e Guzmanit në korrik nga burgu i sigurisë së lartë ishte një pikë acarimesh mes Meksikës dhe SHBA-së, e cila kishte kërkuar ekstradimin e tij.

Bosi i drogës është kthyer në burgun Altiplano pasi u rigjet të premten në qytetin Los Mochis, në shtetin Sinaloa nga ku Guzmani ka prejardhjen.

Orë më vonë ai u pa i veshur me një këmishë blu dhe pantallona doku, duke u transferuar nga një furgon i blinduar në një helikopter për ta marrë atë dhe të paktën një bashkëpunëtor dhe për ta dërguar në burgpërsëri në burg.

Prokurori i Përgjithshëm meksikan Arely Gomez Gonzalez tha se rikapja e Guzmanit ishte rrjedhë e një operacioni të madh ku përfshiheshin një ekip filmi që ishte duke punuar në një biografi të trafikantit të drogës.

Marinsat meksikane, duke vepruar mbi një informacion, bastisën një shtëpi në Los Mochis pak para agimit të premten.

Një betejë me armë pasoi ku mbetën të vdekur pesë të dyshuar dhe një marins u plagos. Gjatë luftimeve, “El Chapo” Guzman dhe një nga zëvendësit e tij të lartë iku nëpër kanalizime, por u kapën më vonë nga marinsat.

Gjashtë të tjerë u arrestuan gjatë operacionit.

Autoritetet federale meksikane kishin qenë në ndjekjen e tyre që nga tetori në një rajon malor të Sinaloas, në Meksikë veriperëndimore. Ekipet e ndjekjes thanë se Guzman ishte plagosur ndërsa ikte për të mos rënë në duart e marinsave në terren pranë kufijve të shteteve Sinaloa dhe Durango.

Guzman u arrestua për herë të parë në vitin 1993, por u arratis në vitin 2001 me ndihmën e rojeve të burgut. Pas më shumë se një dekadë, ai u rigjet në fillim të vitit 2014, me ndihmën e informatave që autoritetet amerikane i dhanë Meksikës.

Meksika ka lëshuar urdhër-arreste për më shumë se 20 ish-zyrtarë, roje dhe oficerëve të policisë të dyshuar për pjesëmarrjen e tyre në arratisjen e Guzmanit vitin e kaluar. Dhjetë civilë janë gjithashtu në paraburgim.

XS
SM
MD
LG