Lidhje

Arrestohet sërish bosi meksikan i drogës, El Chapo


Trafikanti i drogës, Joaquin “El Chapo” Guzman, u arrestua nga autoritetet meksiane për të tretën herë, pasi u arratis herën e fundit muaj më parë nga burgu, nëpërmjet një tuneli të nëndheshëm.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, Guzman u shoqërua drejt një helikopteri ushtarak. Marinsat meksikanë e kapën në shtetin e tij të lindjes, Sinaloa, pas një shkëmbimi zjarri me pasuesit e tij.

“Është një arritje e vendit dhe e institucioneve tona. Është një arritje e të gjithëve dhe padyshim një përgjigje e shtetit”, tha Sekretari i Shtetit i Meksikës, Miguel Osorio.

Guzman është arratisur dy herë nga burgjet meksikane që kur u arrestua fillimisht 14 vjet më parë. Nuk është e qartë nëse ky historik i aftësisë së Meksikës për ta mbajtur Guzman në burg do të influencojë për ekstradimin e tij drejt Shteteve të Bashkuara, ku ai do të përballej me një sërë akuzash për drogë dhe korrupsion.

Kryeprokurorja amerikane Loretta Lynch e quajti kapjen e tij “një fitore për shtetasit e Meksikës dhe SHBA-së”, por ajo nuk foli për mundësinë e ekstradimit të tij drejt SHBA-së.

Meksika ka njoftuar në të kaluarën se Guzman do të vuajë njëherë dënimin në vendin e tij.

“Pas këtij operacioni, 98 nga 122 kriminelët më të kërkuar që e kanë dëmtuar vendin prej vitesh, nuk përbëjnë më rrezik për shoqërinë meksikane”, tha Presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto.

Arratisja e Guzman korrikun e vitit të kaluar përmes një tuneli në qelinë e tij e vendosi në vështirësi administratën e Presidentit Enrique Pena Nieto, i cili lavdërohej për luftën agresive ndaj trafikantëve më të mëdhenj të drogës në Meksikë.

XS
SM
MD
LG