Lidhje

Dhuna në familje: Tërheqja e denoncimeve është kthyer në dukuri


Dhuna në familjet shqiptare sa vjen e rritet, po ashtu edhe denoncimet e rasteve nga zonjat e viktimizuara, por mbrojtja e tyre ligjore është tërësisht e pamjaftueshme, pohojnë studiuesit. Sipas sondazhit më të fundit, 55 për qind e vajzave dhe zonjave të pyetura pohojnë se kanë pësuar dhunë të paktën në jetën e tyre.

Ndëshkimet ndaj dhunuesve u forcuan në Kodin penal, gjykatat i shtuan deri në 1900 urdhërat e mbrojtjes, por ato mbesin vetëm në letër, ndaj viktimat nuk mbrohen realisht, dhe 2/3 e tyre i tërheqin denoncimet. “Studimet tregojnë se edhe ato zonja që shkojnë në gjykatë, ndjehen të pambrojtura për t'i çuar proceset gjyqësore deri në fund, janë të pafuqishme dhe të kërcënuara se mund të humbin gjithçka” - thotë Eljona Kulluri, drejtuese e Shoqatës Kombëtare të Punonjësve Socialë.

Shumica e grave shprehen se ndjehen të pambështetura dhe asnjë mborjtje nuk ëhstë e garantuar, ndërsa ekspertiza psiko-sociale nuk sigurohet falas. Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International, theksoi në raportin vjetor se dhuna familjare në Shqipëri mbetet e përhapur dhe të mbijetuarit e saj rrallë përfitojnë nga drejtësia.

Shumica e grave të dhunuara nuk mund të përdorin financat e familjes së tyre, shpesh nuk punojnë dhe nuk kanë pavarësi ekonomike dhe as strehim, për t'u shkëputur nga një marrëdhënie e dhunshme. Shqetësim kryesor mbetet edhe fakti që dhuna në familje trashëgohet edhe në brezat e ardhshëm, një çështje për të cilën po punon Shoqata Kombëtare e Punonjësve Socialë.

Autoritetet shqiptare pranojnë se gjyqet në rastet e dhunës janë të ngadalshme dhe gjykatat shkelnin afatet për urdhrat e mbrojtjes dhe dhënien e vendimeve. Nga mbi 3 mijë raste dhune të denoncuara në polici, afro një e treta shndërrohen në procese gjyqësore. Shumica e urdhërave të mbrojtjes janë tërhequr apo janë ndërprerë, dhe kjo, thonë studiuesit, po dekurajon denoncimet e mëtejshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG