Lidhje

Zgjedhjet e nëntorit dhe ndikimi tek mandati i presidentit

  • Xhefri Jang

Zgjedhjet e nëntorit dhe ndikimi tek mandati i presidentit

Zgjedhjet e nëntorit dhe ndikimi tek mandati i presidentit

Në zgjedhjet e 2 nëntorit në Shtetet e Bashkuara presidenti nuk do të jetë në listat e kandidatëve për të cilët do të votohet. Në këto zgjedhje të mesit të mandatit do të votohet për të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve si dhe për 37 nga 100 anëtarët që ka senati. Partia Demokrate aktualisht kontrollon të dyja dhomat e Kongresit. Por në rast se ajo humbet njërën prej tyre, kjo do t’i jepte mundësi Partisë rivale Republikane të fillojë hetimet ndaj Shtëpisë së Bardhë dhe vendimeve të saj. Dhe, një gjë e tillë do të kishte ndikim të thellë mbi mandatin presidencial.

Zgjedhjet e mesit të mandatit presidencial, si ato të nëntorit 2010, mund të përcaktojnë se cila prej partive politike do të kontrollojë njërën ose të dyja dhomat e Kongresit. Dhe, ashtu siç ka ndodhur historikisht, ky kontroll mund të përdoret nga partia rivale për të mos e lënë të qetë Presidentin, deri te përpjekjet për ta shkarkuar atë.

...Nëntor, 1986. Presidenti republikan Ronald Reagan është në mesin e mandatit të tij të dytë dhe të fundit. Si zakonisht, votohet për të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve dhe për një të tretën e Senatit. Pas zgjedhjeve, republikanët humbasin Senatin ndaj demokratëve të cilët vazhdojnë të ruajnë kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve.

Professor Benjamin Ginsberg i Universitetit Johns Hopkins tregon atë që ndodhi pas këtyre zgjedhjeve:

"Gjëja e parë që bënë ishte fillimi i hetimeve kundër administratës Reagan. Ishin hetimet rreth çështjes së ashtuquajtur Iran-Contra. Demokratët arritën t’i shfrytëzonin mirë këto hetime për t’i dhënë fund programit legjislativ dhe politik të Presidentit Reagan."

Çështja Iran-Contra kishte të bënte me shitjen Iranit të raketave dhe armëve të tjera me anë të një ndërmjetësi, në kundërshtim me embargon amerikane të armëve ndaj Teheranit. Administrata u akuzua gjithashtu se i kishte përdorur fitimet e nxjerra nga këto shitje për të financuar kryengritësit antiqeveritarë në Nikaragua, e cila në atë kohë udhëhiqej nga një pro-komunist. Hetimet çuan në ngritjen e akuzave penale ndaj një numri zyrtarësh të Shtëpisë së Bardhë.

Republikanët u indinjuan që udhëheqësi i tyre i shquar po sulmohej dhe njollosej. Ata nuk e harruan këtë pas zgjedhjes së demokratit Bill Klinton në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1992.

Kur demokratët humbën kontrollin e Kongresit dy vjet më pas, republikanët nuk iu ndanë Presidentit Klinton për një sërë çështjesh. Por këto hetime ishin vetëm fillimi sepse më vonë ata u përpoqën ta shkarkonin fare zotin Klinton si president. Ja si e kujton këtë Shon Miller, i gazetës "The Hill" e cila mbulon nga afër Kongresin amerikan:

"Në vitin 1994, kur republikanët morën kontrollin në Kongres, ata në fakt ishin në gjendje të hetonin pohimet e Presidentit Klinton se nuk kishte patur marrëdhënie jashtëmartesore me praktikanten Monika Ljuinski e të tjera si këto. Përpjekjet për ta shkarkuar presidentin erdhën në fakt për shkak se në kontroll në Kongres ishin republikanët. Kjo nuk do të kishte ndodhur po të ishin demokratët."

Në dhjetor 1998, Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët përparoi mjaft në procedurat e shkarkimit të Presidentit. Më pas, në janar 1999, senati, megjithëse kontrollohej nga republikanët, nuk arriti ta shpallte fajtor dhe ta shkarkonte Presidentin.

Presidenti tjetër, republikani Xhorxh Bush, e humbi plotësisht kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit gjatë mandatit të dytë në vitin 2006. Demokratët menjëherë filluan hetimet rreth agjencive amerikane të zbulimit me akuzat se këto agjenci kishin përdorur torturat kundër personave të akuzuar si terroristë apo me dyshimet se në kontratat e Pentagonit për Irakun dhe Afganistanin kishte parregullsi të shumta.

Zgjedhjet e këtij nëntori mund t’i japin fund kontrollit të demokratëve në Kongres. Disa republikanë kanë deklaruar se, nëse fitojnë, do të fillojnë hetimet ndaj Presidentit Barak Obama dhe politikave të tij. Ja ç’thotë Profesor Robert Dadli në Universitetin "George Mason":

"Nuk është e qartë nëse hetime të tilla intensive ishin strategjia e duhur e republikanëve ndaj Klintonit. Dhe nuk dihet nëse kjo do të ishte strategjia e duhur kundër Obamës. Pra, do të donin republikanët ta reklamonin veten si partia që heton skandale të vogla ndërkohë që ekonomia vazhdon të keqësohet?"

XS
SM
MD
LG