Lidhje

Paisje elektromanjetike për të shpërndarë turmat

  • Luis Ramirez

Ushtria amerikane kohët e fundit i ka shtuar një rreze elektromanjetike arsenalit të saj të armëve jo-vdekjeprurëse, të krijuara për t’u përdorur gjatë protestave të dhunëshme si ato të kohëve të fundit kundër trupave amerikane në Afganistan. Arma e re ka marrë miratimin por ende nuk është vënë në përdorim. Një demostrim i paisjes u bë në Quantico, jo shumë larg Uashingtoni.

Ushtarët krijojnë një skenë që u ngjan atyre me të cilat përballen forcat amerikane në Afganistan.

Protestuesit shpërndahen të padëmtuar me një paisje të teknologjisë së lartë.
Quhet Active Denial System. Me një rreze elektromanjetike që përshkon qindra metra, paisja e nxeh lëkurën në atë masë saqë i bën njerëzit të largohen instinktivisht.
Janë dashur 10 vjet për krijimin e paisjes, e cila siç shihet nuk është e re por ka mbetur e mbuluar në mister. Kolonelja Tracy Tafolla është shefe e Drejtorisë së Marinës për Armët Jovdekjeprurëse.

“Ndryshe nga armët konvencionale ku përdoren municionet dhe dëgjohen të shtënat apo shihet shpërthimi, në këto paisje nuk është kështu. Nuk shikohet, nuk dëgjohet as nuk nuhatet.”

Ndërtuesit e paisjes thonë se 11 mijë prova tregojnë se ajo është e sigurtë, pa efekte të njohura. Shkakton sensacion të menjëhershëm të nxehtësisë, si të ishe përpara derës së një furre.

Zyrtarët në Los Angeles eksperimentuan një mjet të vogël dy vite më parë, si mënyrë për të shpërndarë trazirat në burgje. Bob Osborne i departamentit të sherifit në Los Angeles, thotë se ajo nuk u përdor asnjëherë.

“Nuk e di, si rezultat i trysnisë publike apo i Departamentit të Drejtësisë, nuk na u tregua asnjëherë se përse u pezullua kjo armë.”

Katër vite pasi u bë e njohur, as ushtria nuk e ka përdorur paisjen. Studiuesit kryesisht druhen nga e panjohura. Stephanie Miller është një prej eksperimentueseve dhe e ka testuar paisjen mbi trupin e saj disa herë.

“Tani që e njoh mirë këtë pajisje mund të them se ajo nuk është diçka e rrallë, por njerëzit që nuk e kuptojnë mendojnë se është misterioze. Meqenëse është diçka e re, ende nuk jemi të sigurt.”

Trazirat e fundit në Afganistan e kanë nxjerrë përsëri në fokus paisjen. Joseph Trevithick është analist ushtarak.

“Me incidentin e fundit të djegies së Kuranit shohim nevojën për shpërndarjen e turmave jashtë objekteve amerikane apo atyre ku vepron personeli amerikan. Këto lloj armësh e bëjnë këtë plotësisht të mundur.”

Duke ftuar mediat, ushtria shpreson të largojë misterin rreth paisjes së re.

“A egziston një farë frike për përdorimin e kësaj teknologjie ? Mendoj se po. Është diçka që nuk është kuptuar mirë.”

Me miliona dollarët e shpenzuar për testimin e teknologjisë së re dhe me shkurtimet e shpejta buxhetore, forcat amerikane ndodhen në trysninë për ta përdorur paisjen ose ndoshta për të mos e prodhuar fare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG