Lidhje

Elena Kagan, kandidatja më e re për anëtare të Gjykatës së Lartë amerikane


Presidenti Barak Obama emëroi zëvendës prokuroren e përgjithshme, ish dekanen e Fakultetit Juridik të Harvardit, Elena Kagan, si kandidate për anëtare të Gjykatës së Lartë. Në se konfirmohet, ajo do të jetë anëtarja e 112 dhe më e reja e Gjykatës së Lartë. Elena Kagan zëvendëson gjykatësin Xhon Pol Stivens, i cili del në pension. Ndryshe nga anëtarët e tjerë të Gjykatës së Lartë, zonja Kagan, nuk ka shërbyer kurrë si gjykatëse, një fakt që mund të ndikojë në procesin e konfirmimit nga Senati.

Ajo do të ishte gruaja e katërt në historinë e gjykatës, krahas Ruth Bader Ginsberg-ut, Sonia Sotomayor-it dhe Sandra Day O’Connor-it që ka dalë në pension.

Dy nga anëtarët e gjykatës janë të fesë hebraike dhe 6 janë katolikë. Për herë të parë në Gjykatë nuk do të ketë një protestant.

Zonja Kagan, 50 vjeçare, do të jetë anëtarja e vetme në Gjykatë pa përvojë si gjykatëse. Për kryetarin e grupit republikan në Senat, Miç Mekonëll, kjo është një gjë negative.

“Ajo është më e pakualifikuara përsa i përket përvojës gjyqësore në 38 vjetët e fundit.”, thotë senatori.

Një anketë e fundit shpreh të njejtën ndjenjë. Shtatë ndër 10 amerikanë e konsiderojnë përvojën gjyqësore si cilësinë më të rëndësishme të një kandidati. Megjithatë, në postin e saj të tanishëm si zv/prokurore e përgjithshme, që mbron interesat e qeverisë para Gjykatës së Lartë, zonja Kagan, ka argumentuar para kësaj gjykate. Tod Gaziano është me fondacionin Heritage.

“Edhe si akademike, shkrimet e saj janë të pakta. Ajo nuk ka praktikisht asnjë përvojë gjyqësore me përjashtim të vitit të fundit.”

Senatori Patrik Lehi, kryetari i komisioni juridik, që do të kryesojë konfirmimin, nuk është dakort.

“Vetëm në dekadat e fundit anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë ardhur nga sistemi federal i gjykatave. Disa prej gjykatave më dinamike kanë qënë ato ku gjykatësit vinin nga përvoja të tjera.”

Por zonja Kagan,mund të ndeshet me kritika edhe për qëndrimin e saj kur ishte dekane dhe kërkoi të mos lejonte zyrtarët e ushtrisë të rekrutonin në Fakultetin Juridik të Harvardit. Sipas saj qëndrimi i ushtrisë kundër homoseksualëve të deklaruar, ishte në kundërshtim me qëndrimin e universitetit.

Presidenti Obama thotë se vendimi për të emëruar zonjën Kagan për të zëvendësuar gjykatësin 90 vjeçar Xhon Pol Stivens, ishte një vendim i peshuar mire.

“Ndërsa nuk pretendoj të zëvendësoj përvojën dhe zgjuarësinë e gjykatësit Stivens, unë kam zgjedhur një kandidate që është po aq e shkëlqyer dhe mishëron po atë pavarësi, integritet dhe pasion për ligjin”.

Gjykatësi Stivens konsiderohej si kampion i krahut liberal dhe emërimi i zonjës Kagan nuk pritet ta ndryshojë balancën ideologjike në Gjykatë.

“Është e qartë që ajo është e krahut liberal. Por askush nuk i di qëndrimet e saj për çështje të caktuara.”

Në se analizohen komentet e saj në të kaluarën, zonja Kagan mund të jetë kandidatja e vetme që t’i bëjë të qarta qëndrimet e saj. Ajo i ka quajtur dëshmitë për konfirmimin e kandidatëve për në Gjykatën e Lartë një farsë, meqë kandidatët nuk janë të detyruar të tregojnë mendimet e tyre për çështje të caktuara.

Dhe zonja Kagan nuk është pa përvojë në seance konfirmimesh. Vitin e kaluar me 61 vota pro dhe 31 kundër, Senati e miratoi atë për postin e zv/prokurores së përgjithshme, roli i së cilës është të argumentojë para Gjykatës së Lartë në emër të presidentit.

Meqë ky është një vit zgjedhjesh për në Kongres, analistët thonë se seancat e konfirmimit do të jenë interesante.

XS
SM
MD
LG