Lidhje

Engel: Tirana, Prishtina, Shkupi dhe demokracia


Kongresmeni amerikan Eliot Engel deklaroi në Tiranë se ishte optimist për rrugën që mori reforma në sistemin e drejtësisë.

Zoti Engel u takua me politikanët kryesorë, me të cilët diskutoi për këtë reformë, për luftën ndaj korrupsionit dhe marihuanës.

Në intervistën për “Zërin e Amerikës”, zoti Engel komentoi edhe zhvillimet në Kosovë, ku tha se çështjet nuk mund të zgjidhen me gaz lotsjellës në parlament.

Me zotin Engel bisedoi korrespondenti ynë në Tiranë, Ilirian Agolli.


Zëri i Amerikës: Zoti Engel! Ju sapo përmbyllët një vizitë në Tiranë. Çfarë biseduat me politikanët dhe autoritetet shqiptare dhe cili ishte qëllimi i kësaj vizite?

Eliot Engel: U takova me kryeministrin, me presidentin dhe me kryetarët e partive politike. Qëllimi i kësaj vizite ishte të sigurohesha që SHBA dhe Shqipëria mbeten miq dhe aleatë të ngushtë. Këtë ma konfirmuan bashkëbiseduesit e mi dhe ishte kënaqësi ta dëgjoja nga drejtuesit këtu. Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë dhe ka shumë për të bërë, por mendoj se deri tani ka bërë shumë përparim.

Megjithatë ka ende tema shqetësuese sa i takon forcimit të rendit dhe ligjit, të drejtave kushtetuese, luftës ndaj korrupsionit, dhe luftës kundër kultivimit të marihuanas. Por nga ana tjetër, Shqipëria është antare krenare e NATO-s, gjë që është shumë e rëndësishme.

Këmbyem mes nesh pikëpamje se si SHBA mund të ndihmojnë Shqipërinë për të arritur synimet e saj. Shqipëria ka qenë përherë në krahun tonë, kudo ku ne jemi për të mbrojtur paqen si Afganistani, Iraku, etj., për ta bërë botën më të sigurtë.

SHBA e pëlqejnë këtë bashkëpunim, dhe amerikanët kanë në Shqipëri trajtimin më të mirë në botë. Shqiptarët janë për amerikanët populli më miqësor dhe vendi më miqësor. Jemi dy vende aleatë dhe është e natyrshme që dy vende aleate të shkëmbejnë mendime se si mund të ecet përpara. Nuk patëm ndonjë temë në veçanti, por ishin të gjitha temat bashkë.


Zëri i Amerikës: Parlamenti shqiptar sapo ka miratuar një seri ndryshimesh kushtetuese për të kryer një reformë të thellë në sistemin problematik të drejtësisë. Si e vlerësoni këtë reformë dhe debatet e ashpra mes palëve për të?

Eliot Engel: Mendoj që reforma është gjithnjë e rëndësishme, po ashtu kushtetuta dhe ligjet. është shumë e vështirë që t'i bësh palët të bien dakord mbi të njëjtën gjë. Por mendoj se është e rëndësishme që të ecet përpara.

Unë kam ndjesi pozitive për rrugën, që mori reforma dhe jam plot shpresë që shqetësimet e tjera mbi të zgjidhen me bashkëpunim në vazhdim. Edhe në SHBA partitë politike nuk janë gjithnjë dakord mbi shumë çështje, por ato përcaktojnë një qëllim të madh dhe e arrijnë atë së bashku. Kjo nuk është e lehtë, por është e mirë për vendin.

Zëri i Amerikës: Korrupsioni në sistemin gjyqësor ka mbuluar edhe korrupsionin në administratën publike. Prej shumë vitesh këtu ka zënë vend një kulturë e mosndëshkimit të korrupsionit. Si mund të shpëtojë Shqipëria nga kjo gjendje?

Eliot Engel: Padyshim që korrupsioni është një problem i madh, sepse korrupsioni shkatërron demokracinë. Nëse njerëzit nuk e ndjejnë që do të marrin drejtësi nga gjykata, atëherë ata e humbin besimin tek sistemi i drejtësisë. Dëmi më i madh që mund t'i bëhet demokracisë është që njerëzit të humbin besimin te sistemi gjyqësor. Pra, mendoj se korrupsioni është vërtet problem i madh dhe i vështirë, që duhet zgjidhur.

Në SHBA sistemi gjyqësor punon shumë mirë. Ne kemi probleme të ngjashme me administratën, por ne kemi gjykata që nuk janë të korruptuara. Ne kemi gjykata të pavarura dhe njerëzit nuk dyshojnë nëse do të marrin atje një vendim të drejtë. Për këtë ka nevojë edhe Shqipëria dhe këtë unë dua ta shoh të realizuar edhe këtu.

Nëse gjykatësi këtu mban ndonjë anë politike të caktuar ju do të keni probleme me korrupsionin, sepse ai do të jetë i padrejtë në gjykimin e tij. Mendoj se kjo çështje është në krye të listës së problemeve, që ju duhet të rregulloni. Kjo do të ishte gjëja më e mirë për Shqipërinë.

Kur një njeri shkon në gjykatë ai duhet të jetë besimplotë se do të marrë një gjykim të dejtë. Kjo i shërben demokracisë, dhe u jep njerëzve siguri të investojnë në Shqipëri dhe kjo shmang shumë vështirësi të tjera.

Zëri i Amerikës: Një pyetje për ngjarjet në Kosovë. Qeveria dhe opozita atje debatojnë ashpër për shumë tema. Së fundi po disktuojnë me tone të larta për kufirin me Malin e Zi. Cili është komenti juaj për atë marrëveshje dhe për situatën politike në Kosovë?

Eliot Engel: Bisedimet atje janë shumë kontradiktore. Disa njerëz nuk bien dakord me atë marrëveshje dhe mendojnë se ajo ka nevojë të përmirësohet. Qeveria vendosi të bëjë një hap prapa dhe të shohë se si mund të ndryshojë ajo çështje. Sido që të vendoset, u takon njerëzve në Kosovë të marrin një vendim. Por mendoj se Kosova duhet të marrë vendimet në demokraci, në një proces demokratik. Ato akte dhune që kemi parë në parlament, me bomba dhe gaz lotsjellës, janë gjëra të tmerrshme, sepse e dëmtojnë demokracinë në Prishtinë.

Njerëzit kanë dallime në demokraci, megjithatë ata duhet t'i binden rregullit, deokracisë dhe ligjit. Ne duam të bëhen investime në Kosovë, ne duam që Kosova të bëhet antare e Bashkimit Europian dhe e NATO-s, po ashtu si edhe Shqipëria.

Por kur njerëzit nuk e ndjejnë që atje mbizotëron ligji dhe rregulli, kjo i vështirëson përpjekjet.

Problemet në Kosovë duhen zgjidhur në mënyrë demokratike, me një proces politik dhe jo me gaz lotsjelës në parlament.

Zëri i Amerikës: Një pyetje për ngjarjet në Maqedoni. Sapo u vendos që atje të mbahen zgjedhje të përgjithshme në dhjetor. Si e gjykoni krizën politike në Shkup dhe rolin e partive shqiptare në atë situatë?

Eliot Engel: Unë isha atje vitin e kaluar dhe takova kryeministrin në kohën kur po bëheshin disa demonstrime dhe trazira. Është e rëndësishme që Maqedonia të bëhet e qëndrueshme. Ka një popullatë të madhe shqiptare atje: 25 për qind, sipas disave, por më shumë janë, thonë disa të tjerë.

Ne shqetësohemi për të drejtat e pakicave dhe për qëndrueshmërinë. Janë të njëjtat probleme, që po diskutonim deri tani për Shqipërinë dhe Kosovën; mbizotërimi i ligjit dhe rregullit është i rëndësishëm. Të drejtat e pakicave janë të rëndësishme për t'u garantuar nga të gjitha pikëpamjet. Unë e kam vizituar dhe ndjek zhvillimet e Ballkanit për afro 25 vjet. Kam folur me njerëzit, që kanë drejtuar Maqedoninë. Kam qenë i shqetësuar për plotësimin e të drejtave të shqiptarëve atje. Vite më parë u bënë përpjekje të mëdha për të hapur universitetin e Tetovës, që njerëzit të merrnin mësime në gjuhën shqipe. Këto janë të rëndësishme; që ata të kenë të drejtat qytetare të Maqedonisë.

Ballkani është një vend me shumë vështirësi qysh nga koha e Jugosllavisë. Atje është bërë përparim i madh deri tani. Shqipëria, nga një regjim shtypës 50 vjeçar, tani ka një demokraci të gjerë. Kosova, e cila vite më parë kërkonte autonomi, tani është një vend i lirë dhe i pavarur.

Natyrisht që dalin probleme, si në çdo vend, edhe në SHBA. Ne duhet të punojmë së bashku si vende demokratike, si miq dhe aleatë, që të sigurohemi që demokracia funksionon, dhe të ngrejmë standartin e jetesës. Unë dua që të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri dhe në Kosovë dhe jo të emigrojnë nëpër vende të tjera për të gjetur punë, por ta gjejnë në vendet e tyre. Unë e dua popullin shqiptar, e dua partneritetin e tij me SHBA dhe dëshiroj që të dy vendet të bashkëpunojnë ngushtë për të forcuar këtë partneritet në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG