Lidhje

Banka Botërore kërkon qëndrueshmëri fiskale


Banka Botërore vlerëson se vitet e fundit kanë qenë të vështira për Shqipërinë edhe për shkak të mjedisit të vështirë ekonomik botëror.

Banka Botërore u bëri thirrje autoriteteve shtetërore shqiptare që të punojnë me këmbëngulje për të rikthyer qëndrueshmërinë fiskale, në mënyrë që të sigurohet një rritje e qëndrueshme e ekonomisë. Sipas komenteve të fundit nga Banka Botërore, kriza e fortë e eurozonës e ka bërë akoma më të vështirë rritjen ekonomike për vende si Shqipëria dhe u sjellë atyre zhbalancime fiskale, të cilat duhen trajtuar në një kohë sa më të shkurtër për t’u rikthyer tek rritja e shpejtë ekonomike.

Banka Botërore sapo ka emëruar një drejtoreshë të re për Europën Juglindore, zonjën Ellen Goldstein, e cila zhvilloi një vizitë katërditore në Shqipëri dhe një seri takimesh me drejtuesit e qeverisë dhe ekonomisë, me të cilët bisedoi mbi problemet kryesore, që qëndrojnë sfiduese përpara gjatë këtij viti.

Sipas të dhënave nga këto takime, zyrtarët kanë shpjeguar angazhimin e tyre për te pakësuar borxhet publike dhe zgjidhjen e zhbalancimit fiskal. Drejtoresha e re i nxiti qeveritarët shqiptarë që të zgjidhin vështirësitë teknike dhe financiare në sektorin energjitik, dhe së bashku do të ndjekin reforma strukturore në ekonomi dhe energjitikë, dhe në menaxhimin e burimeve ujore. Të gjitha këto tema janë pikat kryesore të një programi të ri bashkëpunimi të cilat synojnë përmirësimin e klimës së investimeve, përmirësimin e situatës fiskale, rritjen e qëndrueshme të Shqipërisë, në mënyrë që tregjeve botërore dhe investuesve të huaj t’u jepen mesazhe tërheqëse për bashkëpunim.

Banka Botërore vlerëson se vitet e fundit kanë qenë të vështira për Shqipërinë edhe për shkak të mjedisit të vështirë ekonomik botëror, megjithatë ekonomia e saj ka përjetuar një rritje ndër më të shpejtat në gjithë Europën, duke e shndërruar atë në një vend modern europian, nga pikëpamja ekonomike dhe sociale.

Megjithë kërkesat e përsëritura të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për të ulur nivelin e deficitit dhe borxhit publik, qeveria hoqi në parlament kufirin e borxhit prej 60 për qind, dhe ai menjëherë kapërceu në mbi 62,5 për qind dhe është njoftuar një rritje e mëtejshme e tij. Kjo çështje ka zënë vend kryesor edhe në fushatën e radhës për zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere. Qeveria thotë se ka marrë borxhe për të kryer investime publike që të nxitin ekonominë, ndërsa opozita e sheh me shqetësim nivelin e lartë të borxhit, i cili sipas saj, do të rëndojë në shumë breza për t’u shlyer dhe mund të kompromentojë rritjen e mëtejshme ekonomike.

XS
SM
MD
LG