Lidhje

OSBE mbështet projektin në mbrojtje të fëmijëve


OSBE u bëri sot thirrje institucioneve dhe shoqërisë shqiptare që të kujdesen më shumë për fëmijët e varfër, të cilët rrezikohen për trafikime kriminale dhe shfrytëzim të formave nga më të ndyrshmet. OSBE po mbështet një projekt që i largon ata nga rruga dhe lypsaria dhe i afron me programet e shkollimit dhe të zhvillimit kulturor.

Zëvendës-kryetari i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, Robert Uilton, thotë se mbrojtja e fëmijëve është detyrë themelore për të gjithë. Ai theksoi me shqetësim se sipas raportit të fundit të UNICEF-it dhe organizatës “Save the Children”, mbi 2 mijë e 500 fëmijë shqiptarë jetojnë në kushtet e rrugës. Ndërsa sipas Instatit, rreth 5 për qind e fëmijëve në Shqipëri shfrytëzohen për punë.

Zoti Uilton tha se bizneset private nuk duhet të punësojnë fëmijë, po ashtu edhe prindërit e tyre. Shkeljet ligjore tha ai, janë më të rënda kur ato shkelin të drejtat e fëmijëve, ndaj institucionet nevojitet të bashkëpunojnë më fort dhe ti ndihmojnë fëmijët edhe me mbështetjen e OSBE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Zëvendës-ministrja e punëve të brendshme Elona Gjebrea tha se qeveria ka ngritur dhe zgjeruar komitetin shtetëror kundër trafikimi të qenieve njerëzore, me pjestarë nga disa ministri, sepse kjo nuk është punë vetëm e policisë. Zonja Gjebrea tha se në këtë detyrë të vështirë nevojitet ndihmesa e gjithë institucioneve dhe qytetarëve, sapo dyshojnë për një trafik apo shfrytëzim ndaj fëmijëve. Madje Shqipëria i ka në punë të gjitha programet elektronike për të lehtësuar këtë mbrojtje.

Projekti i ri ka marrë në mborjtje 50 fëmijë të rrezikuar. Agjencia për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe Shërbimi Social Shtetëror kanë ngritur grupe me polisë dhe psikologë për t'u qëndruar afër familjeve të varfëra dhe fëmijëve që punësohen për të shitur apo lypur.

XS
SM
MD
LG