Lidhje

Arrestohet kryetari i bashkisë së Kavajës

  • Armand Mero

Arrestimi është shoqëruar me situata tensioni në komisariatin e Kavajës mes policisë dhe disa dhjetra personave që protestonin ndaj ndalimit të kryetarit të Bashkisë

Në Shqipëri policia e Tiranës njoftoi mbrëmë se ka arrestuar kryetarin e Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi pas incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes së futbollit mes ekipit Besa të Kavajës dhe atij të Tiranës. Rroshi është denoncuar nga trajneri i Tiranës Nevil Dede, se e ka goditur këtë të fundit dhe se e ka kërcënuar me jetë. Arrestimi i tij është shoqëruar me situata tensioni në komisariatin e Kavajës mes policisë dhe disa dhjetra personave që protestonin ndaj ndalimit të kryetarit të Bashkisë. Ata janë shpërndarë me forcë nga ndërhyrja e njësive speciale të dërguara nga Tirana.

Nuk është hera e parë kur incidentet në fushat e futbollit përfshijnë edhe njerëz të politikës. Por ajo cfarë ka ndodhur gjatë pushimit të ndeshjes Besa Tirana ka marrë përmasa të tjera. Trajneri i Tiranës Nevil Dedja ka denoncuar kryetarin e Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi se ka zbritur në korridoret që të conin në dhomat e zhveshjes së bashku me një grup personash të tjerë dhe se e ka sulmuar fizikisht duke e kërcënuar me jetë. Zoti Rroshi ka dhënë një tjetër version të kundërt duke mohuar sulmin fizik e duke u shprehur se ka qenë trajneri i Tiranës që ka fyer tifozët kavajas.

Por pavarësisht deklarimeve të kundërta mes palëve, kryebashkiaku Roshi ka përfunduar në komisariatin e qytetit të tij. AI është mbajtur aty për disa orë, ndërsa avokati i tij ka deklaruar se nuk i është lejuar të kontaktojë me klientin e vet, duke folur për shkelje të procedurave dhe të të drejtave më elementare të cdokujt që ndalohet nga policia, tha avokati.

Situata para komisariatit të Kavajës është acaruar nga grumbullimi i disa dhjetra personave të cilët kërkonin lirimin e zotit Roshi. Nga Tirana janë dërguar njësi të forcave speciale të cilat kanë bërë shpërndarjen e protestuesve. Këta të fundit kanë deklaruar se ndaj tyre janë përdorur shkopinjtë e gomës, ndërsa disa janë shfaqur të gjakosur para kamerave të televizioneve shqiptare.

Në mbrëmje vonë, për të evituar përkeqësimin e situatës, kryebashkiaku I Kavajës është transportuar në Drejtorinw e Përgjithshme të policisë së kryeqytetit ku është njohur edhe me urdhërin e arrestit. Policia e akuzon atë për tre vepra penale, “Goditje për shkak të detyres”, “Kundërshtim të punonjësve të policisë” dhe “Mos bindje ndaj urdhërit të punonjësve të policisë”. Lidhur me incidentin gjatë ndeshjes policia ka arrestuar edhe 7 persona të tjerë, disa prej të cilëve punonjës së Bashkisë së Kavajës.


Arrestimi i kryebashkiakut Rroshi, i zgjedhur si kandidat i partisë socialiste gjatë zgjedhjeve të 2011, duke fituar në një qytet të konsideruar bastion i së djathtës, rrezikon të marrë ngjyra të forta politike në prag të fushatës së zgjedhjeve të qershorit. Episode të tilla të ngjashme, ku njerëz të veshur me pushtet ndërhyjnë dhunshëm në mjediset sportive, janë rregjistruar shpesh, por asnjëherë nuk janë shoqëruar me një reagim të tillë të shpejtë të autoriteteve të sigurisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG