Lidhje

Emergjenca bërthamore u shtohet pasojave pas tërmetit dhe cunamit në Japoni


Japan nuclear
Japan nuclear

Zyrtarët japonezë kanë shprehur besimin se niveli i radioaktivitetit në uzinën bërthamore të Fukushimës nuk ka arritur në nivele të rrezikshme për jetën e njerëzve.

Në një konferencë shtypi dje, zyrtarët thanë se po vazhdojnë të shikojnë ulje presioni, por nivelet mund të luhaten ndërkohë që ata pompojnë ujë në reaktorë dhe çlirojnë ajër.

Më herët dje, agjencia joponeze e sigurisë bërthamore dhe industriale tha se sistemi ftohës në reaktorit tre të uzinës së Fukushimës kishte ndalur funksionimin dhe rrezikonte të shpërthente pas një shpërthimi që ndodhi dje në reaktorin një të uzinës.

Autoritetet u kanë bërë thirrje dhjetra mijëra banorëve që të largohen, të paktën 20 kilometra nga objekti, dhe si masë parandaluese ndaj prekjes nga radioaktiviteti, autoritetet thonë se po shpërndajnë tableta jodi për banorët e zonës.

Gazetarët e Zërit të Amerikës pranë uzinës thonë se pasgoditjet e tërmetit vazhdojnë që nga e premtja, kur një tërmet me magnitudë 8.9 goditi zonën dhe shkaktoi cunam që shkatërroi zonën bregdetare.

Masat e emergjencës në uzinën bërthamore kanë shkaktuar ankth, ndërkohë që punonjësit e ekipeve të shpëtimit punojnë për të shkuar sa më parë tek të mbijetuarit në zonën verilindore të vendit.

Sipas njoftimeve të deritanishme, më shumë se 1300 njerëz ose kanë vdekur ose figurojnë të humbur, pas tërmetit dhe cunamit shkatërrimtar. Policia thotë se mbi 215 mijë njerëz janë detyruar të kërkojnë strehim emergjent.

XS
SM
MD
LG