Lidhje

SHBA: autopsi e veçantë të riut të vrarë


Në Shtetet e Bashkuara, qeveria federale njoftoi se do të zhvillojë një autopsi të veçantë lidhur me vrasjen e një të riu afrikano-amerikan të paarmatosur nga një polic në shtetin amerikan të Mizurit javën e kaluar.

Vrasja e 18-vjeçarit Michael Brown u bë shkak për protesta të përditshme në qytetin Ferguson dhe demonstrata në të gjithë vendin.

Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, rezultatet e autopsive, si nga autoritetet federale edhe nga ato shtetërore do të merren parasysh gjatë hetimit të vrasje së 9 gushtit.

Autoritetet thonë se shtatë persona u arrestuan sot në mëngjes në Ferguson, ndërkohë që policia përdori bomba tymi dhe gaz lotsjellës për të zbatuar ndalim-qarkullimin.

Policia e shtetit Mizuri tha se u kundërpërgjigj duke përdorur forcën nga shqetësimi për sigurinë e policëve. Ajo tha se një person është plagosur rëndë, por me sa dukej kjo ngjarje nuk kishte lidhje me protestat.

PUBLIKIMI I VIDEOS DHE RRJEDHA E NGJARJEVE

Të premten mbrëma qyteti Ferguson u përfshi nga dhuna. Dhuna shpërtheu pasi policia e Fergusonit publikoi njoftimet, mes tyre edhe një video, që tregonte se Michael Brown ishte përfshirë në një vjedhje, si dhe konfrontimin e tij me një shitës dyqani, pak para se Brown të vritej.

Turmat ishin mbledhur të premten pranë dyqanit. Disa nga protestuesit u shkëputën nga grupi i madh dhe plaçkitën disa dyqane, ndërsa demonstrues të tjerë u thanë atyre të ndalonin.

Disa nga protestuesit hodhën shishe dhe objekte të tjera në drejtim të policisë, që mbërriti në vendin e ngjarjes.

Incidenti ndodhi edhe pse familja e Brown-it bëri thirrje për qetësi. Të premten, shefi i policisë, Thomas Jackson, tha se polici që e kishte vrarë Brown-in, fillimisht e kishte ndalur atë, ngaqë adoleshenti po bllokonte trafikun, ndërsa kalonte rrugën. Më vonë policia tha se oficeri i policisë nuk e dinte se Brown dyshohej për vjedhje.

Shefi i policisë Jackson tha se oficeri i policisë ishte Darren Wilson, një veteran prej 6 vjetësh i forcës policore, që nuk kishte marrë ndonjëherë vërejtje disiplinore. Që nga dita kur ai qëlloi dhe vrau adoleshentin, Wilson është me leje administrative.

Shefi i policisë Jackson e karakterizoi Wilsonin si "një burrë i qetë", i cili "asnjëherë nuk kishte patur si qëllim të ndodhte ajo që ndodhi".

Incidenti është bërë shkas për manifestime të heshtura nga mijëra njerëz në mbarë Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG