Lidhje

Marrëveshje Shqipëri - Angli mbi emigrimin


Marrëveshja parashikon shkëmbimin për herë të parë midis Londrës dhe Tiranës të të dhënave personale të emigrantëve.

Shqipëria dhe Britania e Madhe nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për të shkëmbyer informacion mbi çështje të emigracionit. Përfaqëuses të qeverisë shqiptare dhe të diplomatëve nga Mbretëria e Bashkuar, dhe të zyrtarëve të lartë të kufirit të dy vendeve nënshkruan marrëveshjen e parë të këtij lloji. Ky bashkëpunim i ngushtë shqiptaro-britanik synon të parandalojë emigrimin e paligjshëm, krimet ndërkufitare, trafikimin e qenieve njerëzore dhe të krimeve të tjera në tërësi.

Marrëveshja parashikon shkëmbimin për herë të parë midis Londrës dhe Tiranës të të dhënave personale të emigrantëve, gjë që do të mbrojë interesat e përbashkëta të dy vendeve, dhe ky vlerësohet se është niveli më i lartë i bashkëpunimit për sundimin e ligjit. Shpejtësia e madhe e lëvizjes së informacionit dhe koordinimi i veprimeve mes agjencive të rendit pritet të zbatojë plotësisht Marrëveshjen e Ripranimit, të nënshkruar mes dy shteteve vite më parë.

Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive nga BE për zbatimin e rregullt të lëvizjes së shtetasve pa viza, megjithatë një numër jo i vogël shtetasish shqiptarë qarkullojnë në Europë qysh përpara se të hiqeshin vizat. Shteti shqiptar është i vetmi vend i Ballkanit që paguan shpenzimet për kthimin në atdhe të të gjithë qytetarëve të vet, që shkelin rregullat e qëndrimit në hapësirën Shengen dhe jashtë saj si Mbretëria e Bashkuar e Anglisë. Një ndihmë e madhe në heqjen e vizave dhe në kthimin e personave të parregullt është edhe pajisja e shtetasve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, si dhe programi i kontrollit të integruar të kufijve, që shkëmben të dhëna në kohë reale me midis policive europiane .

Kontrolli i kufijve dhe lufta ndaj trafiqeve dhe krimit është një kërkesë e vazhdueshme e BE-së ndaj Shqipërisë dhe këto marrëveshje janë pjesë e angazhimeve të saj për integrim të plotë në familjen europiane. Nga ana tjetër ato tregojnë se policia shqiptare ka fituar besimin e kolegëve europianë për bashkëpunim profesional kundër kriminalitetit në kontinent. Shqipëria ka dërguar zyrtarë të përhershëm të saj në zyrat e Interpolit në Francë, të cilët kanë lehtësuar vitet e fundit ekstradimin e mbi 500 personave të kërkuar nga gjykatat e shumë shteteve, dhe kthimin e dhjetëra të tjerëve për shkelje më të vogla kufitare.

Një numër i madh shtetasish shqiptarë emigruan dhe u trafikuan gjatë viteve të tranzicionit për në shtetet perëndimore me mjete dhe mënyrat nga më të ndryshmet, duke thyer rregullat kufitare europiane, me gomone, anije, kamionë apo duke falsifikuar dokumenta si viktima të luftërave ballkanike. Një pjesë jo e vogël e tyre vuajnë dënime të ndryshme në burgjet e Greqisë, Italisë, Gjermanisë apo Anglisë dhe Belgjikës, ndërsa një pjesë tjetër fshihen dhe janë izoluar atje për shkak të mungesës së dokumentave të rregullta.
XS
SM
MD
LG