Lidhje

Britania, Franca, marrëveshje për frenimin e emigrantëve


Britania dhe Franca do të krijojnë një qendër të përbashkët komande dhe kontrolli në qytetin port Calais të Francës, për të frenuar mijëra emigrantë pa dokumenta që përpiqen të hyjnë në Britani përmes Eurotunelit. Deri tani, të paktën 10 emigrantë kanë humbur jetën në këto përpjekje.

Sekretarja e brendshme britanike Theresa May dhe homologu i saj francez, Bernard Cazeneuve vizituan terminalin e Eurotunelit, i cili këtë muaj u bë qendër e skenave kaotike, ndërkohë që qindra emigrantë u përpoqën të kalojnë gardhet e sigurisë.

Ata u takuan me policinë franceze dhe përfaqësues të forcës kufitare britanike në Coquelles, pranë qytetit verior francez, ku në mënyrë të përsëritur theksuan bashkëpunimin e tyre të ngushtë për t’u përballur me problemin e trafikimit të njerëzve.

"Ne kemi ndërmarrë tashmë një numër hapash që kanë filluar ta përmirësojnë gjendjen këtu përsa i përket numrit të njerëzve që përpiqen të hyjnë tunel, për të kaluar në Britani. Por puna duhet të vazhdojë dhe ne sot do të diskutojmë mbi masat e mëtejshme që mund të marrim së bashku," tha zonja May.

Ministri i Brendshëm francez Bernard Cazeneuve tha se po bëhej përparim dhe se shumë pjestarë të bandave të trafikimit janë ndaluar.

"Trafikantët të cilët janë pjesë e organizatave kriminale ndërkombëtare duhet të ndiqen penalisht dhe organizatat e tyre të shkatërrohen. Ne duhet të dërgojmë një sinjal shumë të fortë nga Kaleja, se askush prej tyre nuk do ta kalojë kufirin, të cilin ne e kontrollojmë së bashku," tha zoti Cazeneuve.

Të dy ministrat theksuan se problemi me të cilin ata përballen është një problem ndërkombëtar që i ka rrënjët jashtë Evropës.

Më vonë ata nënshkruan një marrëveshje e cila parashikon krijimin e një qendre të përbashkët komande dhe kontrolli, të financuar nga burime britanike dhe franceze.

Gjendja arriti një pikë dëshpërimi muajin e kaluar, kur deri në 1700 emigrantë përpiqeshin të hipnin çdo natë në trenat e Eurotunelit. Zyrtarët thonë se mesatarja gjatë natës tani ka rënë në rreth 150.

Rritja e numrit të emigrantëve që përpiqen të kalojnë për në Britani është vetëm një shembull i krizës së emigracionit me të cilën Evropa po përballet gjatë këtij viti, ndërkohë që më shumë emigrantë se kurrë më parë po përpiqen të largohen nga konfliktet dhe varfëria në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme.

Greqia, Italia dhe Hungaria po ndeshen që të treja me një vale të madhe emigrantësh që kërkojnë punë dhe kushte më të mira jetese brenda kufijve të Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG