Lidhje

Vërshim i emigrantëve për në BE përmes Ballkanit


Një numër në rritje emigrantësh nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme përpiqen të hyjnë në Evropën Perëndimore përmes Ballkanit në vend të kalimit nëpër Mesdhe, një rrugë shumë më e rrezikshme. Policia e Serbisë po përpiqet të përballojë rritjen e numrit të emigrantëve të paligjshëm që preferojnë këtë vend si portë drejt Evropës Perëndimore.

Në katër muajt e parë të vitit 2015, policia kufitare ka kapur deri në 10.000 emigrantë të paligjshëm, kryesisht nga Siria, Afganistani, Pakistani dhe Afrika e Veriut, që përpiqen për të arritur në Evropën Perëndimore duke kaluar në Serbi nga Maqedonia dhe Kosova.

Serbia mbetet një hallkë kyçe në trafikun njerëzor në mes të Lindjes dhe Perëndimit. Kontrabandistët vendas përfitojnë duke organizuar transportin për emigrantët nëpërmjet kufijve të Serbisë.

Ditë e natë policia serbe monitoron kufirin, dhe sapo dikton lëvizje, përdor automjete për të gjurmuar dhe kapur emigrantët.

Mijëra emigrantëve të tillë, madje edhe persona të dyshuar si militantë islamikë, kanë kaluar këtë vit nëpër Preshevë, dhe shifrat janë në rritje, thonë autoritetet.

"Krahasuar me gjendjen para vitit 2009, numri më i madh i emigrantëve tani vijnë nga Siria. Në të kaluarën shumica ishin nga Afganistani dhe Pakistani. Kohët e fundit ka më shumë gra dhe fëmijë."

Pavarësisht se policia kufitare punon me staf të kufizuar, ajo vazhdon ndjekjen e refugjatëve thellë në territorin e Serbisë.

Trafikantët serbë, shqiptarë dhe maqedonas kërkojnë 150 euro për person për t'i kaluar emigrantët përtej kufirit.

Pasi ata kalojnë në Serbi çmimi është 500 euro për çdo 500 kilometra me makinë për në kufirin hungarez në veri.

Edhe pse disa prej tyre janë të lejuar të kërkojnë azil, autoritetet serbe e kthejnë shumicën e emigrantëve të paligjshëm përsëri në Maqedoni.

Në Banja Koviljaca, një qytet rreth 137 kilometra në perëndim të Beogradit, është një nga qendrat më të mëdha të emigrantëve në vend.

Deri në 500 emigrantë kanë kaluar përmes qendrës gjatë këtij viti, por vetëm 50 kanë vendosur të qëndrojnë, sipas menaxherit Robert Lesmajster.

"Edhe kur emigrantët marrin certifikatën e azilkërkuesit lëshuar nga policia në Serbi, shumica prej tyre nuk paraqiten në asnjë prej këtyre qendrave, ata thjesht të përpiqen të ikin sa më shpejt nga Serbia."

Paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut ka kontribuar në rritjen e ndjeshme të kalimeve të paligjshme të kufirit.

"Atje kemi luftë, njerëzit kanë probleme. Atje nuk ka jetë, nuk ka asgjë. Nuk kemi asgjë për të jetuar normalisht," thotë Hatem Ahmad, emigrant sirian.

Ai thotë se synimi i tyre është të shkojnë në Britani.

Policia kufitare serbe po bashkëpunon nga afër me Interpolin, dhe identiteti i çdo emigranti ilegal kontrollohet për ndonjë lidhje të mundshme me ndonjë organizatë terroriste.

Vlerësohet se 276 mijë njerëz kanë hyrë në vendet e Bashkimit Evropian në mënyrë të paligjshme gjatë vitit të kaluar, më shumë se dyfishi i vitit 2013. Rreth 43 mijë kanë hynë përmes Ballkanit.

XS
SM
MD
LG