Lidhje

Emigrantët dhe kalimi i kufirit amerikan


Në fjalimin e tij të enjten në Konventën Republikane, kandidati Donald Trump përsëriti propozimin e tij për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit SHBA – Meksikë, nëse ai do të zgjidhej president. Anketat tregojnë se një pjesë e mirë e amerikanëve mbështesin kontrollin më të fortë të kufirit jug-perëndimor të vendit, ndërkohë që gjendja e njerëzve që përpiqen të kalojnë kufirin është tashmë e frikshme.

Nuk është e vështirë për emigrantët të kalojnë kufirin në zona të largëta, por më pas ata përballen me thatësirën.

Pasi e kalojnë kufirin, emigrantëve u duhet të përshkojnë një shkretëtirë ku temperaturat janë shpesh mbi 40 gradë celcius.

Gjelbërimi i pakët nuk ofron hije dhe madje përbën rrezik.

Diane Hoelter, vullnetare me organizatën “Humane Borders”, thotë se shumica e emigrantëve nuk janë të përgatitur për kushte të tilla.

“Shpesh nuk kanë këpucët e duhura dhe këmbët u mbushen me flluska. Dhe më e keqja është dehidratimi,” thotë ajo.

Organizata vendos depozita uji në pjesë të ndryshme të shkretëtirës së Arizonës, si dhe një flamur mbi të që ta pikasin emigrantët.

Disa trafikantë i presin me makina pranë kufirit, por shumë emigrantë braktisen në shkretëtirë. Shpresa e tyre e vetme është të diktohen nga patrullat kufitare të SHBA-së.

“Njerëzit përpiqen vazhdimisht të kalojnë kufirin. Ne jemi këtu që të përpiqemi t’i ndalojmë, me mundësitë që kemi,” thotë Paul Beeson, shef i patrullimit kufitar në sektorin Tucson.

Zoti Beeson thotë se terreni e vështirëson ndalimin e kalimit të paligjshëm, si dhe dhënien e ndihmës për njerëzit në rrezik.

“Është mjedis shumë i ashpër me disa male. Janë shtatë vargmale që gërshetohen me kufirin dhe që na pengojnë të lëvizim.”

Në anën meksikane të kufirit, shumë emigrantë që janë deportuar rishtazi i tregojnë Zërit të Amerikës për rreziqet.

“Me këtë vapë dhe dehidratim, kam dëgjuar se njerëzit janë braktisur në mes të rrugëtimit,” thotë një emigrante.

Ndërsa Martini pësoi infeksion lëkure në shkretëtirë, por thotë se duhet të përpiqet të arrijë në SHBA.

“Familja ime është e varfër. Nuk kemi të ardhura, kështu që erdha këtu për të gjetur vendin ku të kaloj kufirin.”

Një iniciativë e filluar nga priftërinjë katolikë u ofron emigrantëve të deportuar vaktin e mëngjesit, si dhe informohen për rreziqet që i presin.

“Nëse përpiqen sërish të kalojnë, atëherë rrezikojnë të ndalohen për ditë të tëra, ose të përballen me vjedhës dhe me rrezikun e vdekjes në shkretëtirë,” thotë Sean Carroll, i Iniciativës "Kino Border".

Shumë nga këta njerëz janë të shtyrë nga varfëria, në veçanti ata që vijnë nga vende të Amerikës Qendrore ku ka dhunë. Prandaj, ata thonë se nuk kanë alternativë tjetër, përveçse të vazhdojnë të përpiqen sërish të kalojnë kufirin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG