Lidhje

Emigrantët në Greqi do të pajisen me lejet e qëndrimit si karta elektronike


Emigrantët në Greqi do të pajisen me lejet e qëndrimit si karta elektronike
Emigrantët në Greqi do të pajisen me lejet e qëndrimit si karta elektronike

Emigrantët e huaj në Greqi do të pajisen me lejet e qëndrimit në formën e kartave elektronike. Aplikimet pritet të nisin në muajin maj të këtij viti dhe sipas shtypit grek do të lehtësojnë praktikat e legalizimit të emigrantëve. Ndërkaq, megjithë angazhimin e Ministrisë së Brendshme shqiptare, ende në selitë konsullore në Greqi nuk ka nisur lëshimi i pasaportave biometrike për emigrantët shqiptarë.

Autoritetet greke njoftuan se do të fillojnë prej Majit të këtij viti procesin e pajisjes me lejet e qëndrimit në formën e kartave elektronike të emigrantëve të huaj, pjesën më të madhe të të cilëve e përbëjnë në Greqi ata nga Shqipëria. Ministri i Brendshëm grek Janis Raguzis ka firmosur vendimin, i cili merret në kuadër të një pakete masash të qeverisë greke për të plotësuar standartet e Bashkimit Europian në trajtimin e emigrantëve.

Të dhëna të shtypit grek pohojnë se leja e qëndrimit në formë elektronike pritet t`u kushtojë emigrantëve 165 Euro nga 150 euro që u kushton sot. Ministria e Brendshme greke pritet të hapë disa dhjetëra pika për këtë proçes në mbarë Greqinë, por veçanërisht në zonat me numrin më të madh të emigrantëve. Proçesi pritet t`i ndihmojë emigrantët ,veçanërisht shqiptarë, të cilët gjatë gjithë këtyre viteve kanë gjetur mjaft pengesa në marrjen e lejeve të qëndrimit apo ripërtëritjen e tyre.

Vonesat dhe vështirësitë vazhdojnë të krijojnë për një pjesë të madhe të tyre probleme në lëvizjen e lirë në kufijtë mes të dy vendeve. Pajisja e emigrantëve me lejeqëndrimin në formë elektronike pritet të lehtësojë edhe mjaft shërbime për emigrantët. Autoritetet greke kanë paralajmëruar se do të lehtësojnë praktikat dhe dokumentet e aplikimit. Ndërkaq në selitë konsullore shqiptare në Greqi ndonëse janë bërë përgatitjet ende nuk ka nisur lëshimi i pasaportave biometrike shqiptare për emigrantët që punojnë dhe jetojnë në Greqi.

Ministri i Brendshëm shqiptar Lulëzim Basha kishte deklaruar pak ditë më parë se Kompania konçesionare që është kontraktuar për këtë shërbim duhet të fillonte aktivitetin për tu ardhur në ndihmë emigrantëve në selitë konsullore në Athinë dhe në Selanik. Vlerësohet se një numër i madh emigrantësh shqiptarë nuk janë pajisur ende me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike për shkak të vështirësive në lëvizjen në kufi.

XS
SM
MD
LG