Lidhje

Mijëra emigrantë hyjnë në Serbi


Radhë të gjata emigrantësh, shumë prej tyre refugjatë nga Siria, hynë sot më këmbë në Serbinë jugore para se të hipnin në trena dhe në autobusë për në Hungari – faza e fundit e një udhëtimi gjithnjë e më të dëshpëruar drejt Evropës Perëndimore.

Ballkani Perëndimor nuk ka parë lëvizje kaq të mëdha njerëzish që nga luftërat që shoqëruan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë në vitet 90.

Autoritetet shtetërore dhe agjencitë e ndihmave shpërndanë tenda dhe nxituan të dërgojnë ushqime dhe ujë për mijëra njerëz që kanë arritur në Ballkanin Perëndimor. Numri i tyre është rritur që kur Greqia filloi të transportojë aty refugjatë nga ishujt e saj të tejmbushur.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara, për refugjatët, tha se më shumë se 7,000 njerëz arritën në Serbi nga Maqedonia gjatë fundjavës. Shumë prej refugjatëve kaluan tri ditë të dëshpëruar në kufirin verior të Greqisë, pasi Maqedonia e pengoi kalimin e tyre duke thënë se nuk mund të pranonte të tjerë.

Të shtunën, policia maqedonase nuk i përmbajti dot njerëzit, duke u përgjigjur me shkopinj gome dhe granata tymuese.

Në pamundësi për të frenuar valën e refugjatëve, Maqedonia vuri në dispozicion trena dhe autobusë, që njerëzit të iknin drejt veriut, ku ata kaluan më këmbë për në Serbi.

Sot në Serbi hynë refugjatë të tjerë nga pika e kalimit kufitar Miratovac, duke përshkuar 5 kilometra deri në një qendër pritjeje në qytetin e Preshevës, ku shumë prej tyre po marrin ndihmë mjekësore, ushqime dhe dokumente që legalizojnë udhëtimin e tyre nëpër Serbi.

"Ne besojmë se në 24 orët e fundit, më shumë se gjashtë mijë persona që kanë hyrë në Serbi ishin në këtë kamp,” thotë Davor Roko, zyrtar i agjencisë së OKB-së për refugjatët.

Shumë prej refugjatëve udhëtojnë me çanta shpine. Burrat mbajnë fëmijët e vegjël mbi supe.

"Shpresoj të kaloj. Vetëm kaq dua, të vazhdoj udhëtimin,” thotë Ahmed, refugjat nga Siria në kufirin me Serbinë. Ai thotë se destinacioni i tij i fundit është Gjermania.

Problemi kërcënon të rëndohet, tani që Hungaria, anëtare e Bashkimit Evropian dhe pjesë e zonës Shengen, po nxiton të përfundojë ndërtimin e një gardhi përgjatë të kufirit të saj prej 175 kilometrash me Serbinë për të mos lejuar hyrjen e njerëzve. Kjo mund të krijojë grumbullime të rrezikshme emigrantësh në kufirin e saj.

Ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier bëri thirrje sot përsëri për një shpëndarje të drejtë të barrës së emigrantëve mes vendeve të Bashkimit Evropian.

"Asnjë valë refugjatësh nuk i justifikon kushtet katastrofike humanitare që kemi parë dhe përjetuar në javët e fundit në shumë vende të Evropës dhe për këtë arsye ne kemi nevojë për procese uniforme në Evropë, kemi nevojë për standarde të njëjta,” tha zoti Steinmeier në Berlin.

Kjo, tha ministri gjerman, kërkon futjen e një sistemi të detyrueshëm kuotash, që siguron një shpërndarje të drejtë të emigrantëve në Evropë.

Ai tha se Evropa nuk duhet të heqë dorë nga parimi themelor për të ofruar mbrojtjen e nevojshme për njerëzit në nevojë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG