Lidhje

Emiri i ri i Katarit në gjurmët e të atit


Emiri i ri i Katarit thotë se do të vazhdojë në gjurmët e të atit, i cili abdikoi fronin kohët e fundit, duke treguar kështu se vendi nuk ka të ngjarë të ndryshojë menjëherë politikat nën udhëheqjen e re. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Phillip Walter Wellman, na sjell hollësi nga Dubai.

Në fjalimin e tij të parë në televizion, Sheiku 33-vjeçar Tamim bin Hamad al-Thani vlerësoi përpjekjet e Sheikut Hamad bin Khalifa al-Thani në transformimin e Katarit nga një vend i parëndësishëm i Gjirit Persik, në një fuqi diplomatike, financiare dhe energjetike.

Emiri i ri tha më tej se nuk do të marrë urdhëra nga askush dhe do të përpiqet të ruajnë marrëdhëniet me të gjitha qeveritë dhe shtetet. Fjalimi i tij më 26 qershor përkoi me ndryshimet në kabinet që sollën zëvendësimin e Sheikut Hamad bin Jassim al-Thani si kyeministër dhe si ministër të Jashtëm.

I njohur si "HBJ", sheiku ka qënë një forcë nxitëse e vendit drejt një pozite të shquar në arenën ndërkombëtare. Jamie Ingram, analist në IHS Global Insight, thotë se ministrat e rinj kanë një shembull të mirë për të ndjekur.

"Ka të ngjarë që ata të jenë më pak aktivë. Hamad bin Jassim ndoqi një politikë të jashtme energjike dhe pasuesi i tij nuk ka të ngjarë të jetë aq entuziast për një strategji të tillë. Ata do të përpiqen të ruajnë rolin e Katarit si ndërmjetës ndërkombëtar dhe si faktor në çështjet ndërkombëtare, por ndoshta jo në masën që ne kemi parë gjatë tre, katër, apo pesë vjetëve të fundit”.

Katari me rezervat e mëdha të naftës dhe gazit, dhe me një popullatë të vogël, është vendi më i pasur i botës për sa i përket prodhimit të përgjithshëm të brendshëm, i cili ka dalë nga Pranvera Arabe si një forcë e madhe në diplomacinë e rajonit.

Vendi luajti një rol të rëndësishëm në mbështetjen e kryengritjes kundër Moammar Gadhafit në Libi dhe vazhdon të jetë një mbështetës i fuqishëm i kryengritjes kundër Presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad. Por veprimet tij nuk kanë qënë gjithnjë të mirëpritura nëpër botë, si protestat kundër “ndërhyrjes” së tij në Egjipt, Tunizi dhe Libi.

Përpjekjet e Katarit për armatimin e luftëtarëve të opozitës në Siri thuhet se po shkaktojnë tensione mes udhëheqësve të kryengritësve, disa prej të cilëve pretendojnë se Doha mbështet vetëm ata me pikëpamje islamiste. Salman Shaikh, drjetor i qendrës së Institutit Brookings në Doha, thotë se Siria do të jetë sfida më e fortë e politikës së jashtme të qeverisë së re të Katarit.

"Jam i sigurt se kjo do të jetë një çështje që do t’i konsumojë Tamimin dhe ata përreth tij, veçanërisht ministrin e ri të jashtëm”.

Megjithëse abdikimi i Sheik Hamadit parashikohej, kritikët janë të shqetësuar se ky vendim ndodh në një kohë që Katari është i angazhuar në disa çështje brenda dhe jashtë vendit dhe për pasojë mund të çojë në vështirësi.

Sheiku 61 vjeçar vuan nga probleme në veshka, por zyrtarët e qeverisë këmbëngulin se kjo nuk është arsyeja se pse ai ia la pushtetin të birit. Neil Partrick, studjues në Institutin Mbretëror të Londrës për Studimet e Mbrojtjes dhe të Sigurisë, ka këtë mendim:

"Kjo e ndihmon Katarin të paraqitet si një shtet aktiv dhe elastik. Një nga udhëheqësit më të rinj në botë, ndoshta shërben për të balancuar përshtypjen se një vend që mbështet ndryshime gjetkë nuk bën ndryshime brenda tij. Në të njejtën kohë ky ndryshim mban në fuqi dominimin e familjes në politikë”.

Transferimi paqësor i pushtetit është tepër i rallë në Gjirin Persik, ku monarkët tradicionalisht e mbajnë pushtetin për jetë. Analisti Ingram thotë se zhvillimet në Katar nuk ka të ngjarë të pasohen nga vendet fqinje në një të ardhme të afërt.

"Kjo prirje nuk do të përhapet në vendet e tjera të Gjrit. Për sa i përket presionit për të sjellë njerëz të rinj në pushtet, kjo pa dyshim shakton shqetësime në vende si Arabia Saudite dhe Bahreini, ku janë mjaft thirrje për kryeministrin që të japë dorëheqje, por ky presion nuk ka të ngjatë të arrijë në atë pikë që sundimtarët të jenë të detyruar të veprojnë”.

Në valën e trazirave rajonale, të gjitha vendet e Gjirit Persik, përfshirë edhe Katarin, e kanë goditur disidencën e brendëshme për të mbrojtur sovranitetin e familjeve në fuqi. Partitë politike janë të ndaluara në Katar dhe atje nuk mbahen zgjedhje. Emiri ka autoritet absolut. Në muajin shkurt, një poet në Katar u dënua me 15 vjet burgim se kritikoi emirin dhe u përpoq të nxiste revolta.
XS
SM
MD
LG