Lidhje

Liria dhe Çlirimi, dy zogjtë e shqiponjës


Dy zogjtë e shqiponjash që çelën muajin e kaluar dhe hynë në zemrat e miliona njerëzve që e panë lindjen e tyre nëpërmjet internetit, do të kenë tashmë emra. Këto shqiponja janë shndërruar tashmë në një sensacion mediatik.

“Freedom” - “Liria” dhe “Liberty” - “Çlirimi” janë emrat e zgjedhur për dy zogjtë e shqiponjës që lindën në kopshtin botanik në Uashington në muajin mars.

Zogjtë dhe prindërit e tyre, të quajtur “Zoti President” dhe “Zonja e Parë”, kanë rrëmbyer vëmendjen e mediave përmes kamerave të instaluara pranë folesë së tyre duke transmetuar drejpërdrejt në internet.

Mbi 30 mijë simpatizantë nga e gjithë bota morën pjesë në konkursin në mediat sociale për të sugjeruar emrat e zogjve.

Emrat fitues u shpallën në një ceremoni në kopshtin botanik.

Drejtori i kopshtit botanik, Richard Olsen, bashkëpunoi me Fondacionin e Shqiponjës Amerikane për të transmetuar drejtpërsëdrejti në mbarë botën pamjet e shpendit kombëtar të Amerikës.

“Është një shembull shumë i mirë i natyrës së gjallë, ndryshe nga çdo gjë që shohim nëpërmjet paisjeve tona sot. Është si të jetosh së bashku me këto shqiponja.”

Kamerat e internetit u japin njerëzve eksperiencën e vërtetë të rritjes së një familjeje shqiponjash amerikane.

Al Cecere është president i Fondacionit të Shqiponjës Amerikane.

“E filluam konkursin për emrat pasi donim ta sillnim publikun më pranë këtyre zogjve dhe që të mësonin kështu më shumë rreth tyre, në veçanti nxënësit e shkollave... Është dhe një mënyrë për të bashkuar njerëzit në një eksperiencë të përbashkët.”

Mbi 35 milionë njerëz nga 100 vende të botës kanë parë nëpërmjet kamerave se si zogjtë rriten nën kujdesin e prindërve të tyre.

Zogjtë “Freedom” dhe “Liberty”, gjinia e të cilëve ende nuk dihet, mendohet se do të largohen nga foleja në muajin qershor, kur të arrijnë moshën 12-javëshe.

“Shpresojmë se do të rriten dhe pasi të gjejnë partnerë, të rikthehen këtu në Uashington, për të krijuar një fole ku do të rrisin të vegjlit e tyre".

XS
SM
MD
LG