Lidhje

Ende i paqartë destinacioni i anijes me ndihma për Gazën


Zyrtarët izraelitë dhe grekë thonë se një anije e sponsorizuar nga një organizatë bamirësie e Libanit ka ndryshuar planet për të lundruar drejt Gazës dhe tani do të ankorohet në portin El Arish të Egjiptit.

Anija moldoviane u nis nga Greqia me 27 njerëz në bord dhe 2 mijë ton ushqime dhe medikamente për palestinezët. Pas një diplomacie intensive, Ministri i Jashtëm izraelit Avigor Lieberman u mbushi mendjen autoriteteve të Greqisë dhe Moldavisë që të mos lejojnë anijen të lundrojë drejt Gazës duke sfiduar bllokadën detare izraelite. Egjipti u bind për të pranuar ankorimin e anijes.

Tensionet rajonale kanë vazhduar të jenë të larta qëkur komandot izraelite bastisën një flotilje ndihmash që po mundoheshin të thyenin bllokadën gjashtë javë më parë. Nëntë aktivistë pro-palestinezë u vranë, duke shkaktuar zemrim nderkombëtar.

Osama Mahmid, një inxhinier në anije , tha për televizionin egjiptian se anija po lundronte drejt Egjiptit. Por ai tha se anija është terësisht e përgatitur që të lundrojë për në Rripin e Gazës.

Në Gazë, Jamal al Khudari, i cili drejton Komitetin Palestinez për Heqjen e Rrethimit, tha se destinacioni është i qartë.

Anija po lundron drejt Gazës dhe askund tjetër.

Anijet luftarake izraelite do të dislokohen në detë për të siguruar që anija të lundrojë për në Egjipt dhe nuk ndryshon kursin për në Gaza. Nëse ndryshon kursin, anija do të zbulohet nga marina izraelite.

XS
SM
MD
LG