Lidhje

Ende të bllokuara rrugët kryesore në veriun e Kosovës


Ende të bllokuara rrugët kryesore në veriun e Kosovës
Ende të bllokuara rrugët kryesore në veriun e Kosovës

Rrugët kryesore në veriun e Kosovës që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, mbeten të bllokuara. Me gjithë paralajmërimet, përfaqësuesit politikë lokal të serbëve në veri nuk kanë arritur të merren vesh për zbatimin e marrëveshjes së arritur të premten ndërmjet KFOR-it, qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të qeverisë së Serbisë për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës.

Kjo marrëveshje nënkuptonte në radhë të parë largimin e bllokadave të vëna dy javë më parë nga serbët në veri në kundërshtim të synimeve të qeverisë së Kosovës për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare më Serbinë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Përfaqësuesit lokalë të serbëve, kishin paralajmëruar për sot në mesditë një takim për të vendosur lidhur me largimin e bllokadave.

Ky paralajmërim u bë i ditur pas një takimi që të dielën është zhvilluar në Beograd ndërmjet presidentit të Serbisë Boris Tadiç dhe përfaqësuesve të serbëve në veri të cilët thanë se janë pajtuar për ruajtjen e qetësisë dhe qëndrueshmërisë në veriun e Kosovës, ndërsa i kanë bërë thirrje pranisë ndërkombëtare që të respektojë siç thuhet Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Por, takimi i sotëm u ndërpre vetëm pak çaste pas fillimit, meqë siç u tha, “nuk ka pasur kushte formale ligjore” për mbajtjen e tij, meqë në takim nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e serbëve të Zubin Potokut, një nga komunat me shumicë serbe ku veprojnë pjesëtarë të Partisë Demokratike serbe të Vojislav Koshtunicës.

Para takimit ata kishin shpërndarë një dokument me të cilin e vlerësonin marrëveshjen me KFOR-in si një njohje të planit të Martti Ahtisaarit në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, ka theksuar se zhvillimet sotme dërgojnë një mesazh të keq tek qytetarët e Kosovës.

Autoritetet e sigurisë thanë se gjendja në veri është e qetë, ndërsa ende nuk ka filluar zbatimi i marrëveshjes për largimin e bllokadave, duke u bërë thirrje qytetarëve serbë që të respektojnë marrëveshjen. Thirrje të tilla janë bërë edhe nga Bashkimi Evropian, zyrtarë të të cilit thanë se është me rëndësi që Prishtina dhe Beogradi të bëjnë gjithçka që të qetësohet situata e tensionuar dhe që, pos tjerash, të largohen barrikadat nga veriu i Kosovës.

Qetësia u rivendos në veri me një marrëveshje mirëkuptimi të arritur nga KFOR-i me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe ata të Serbisë. Sipas kësaj marrëveshjeje që nuk është nënshkruar nga askush, vendkalimet kufitare me Serbinë në veriun e Kosovës do të mbeten nën kontrollin e KFPOR-it deri në shtator, kur pritet rifillimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovës, Borisllav Stefanoviç, u ka thënë medieve serbe se bisedimet do të vazhdojnë më 5 shtator në Bruksel, ndërsa deri atëherë pret zgjidhjen e problemit të vulave doganore, që sipas tij, do të ulë tensionet në veri të Kosovës. Mosnjohja e vulave doganore të Kosovës nga ana e Serbisë, çoi në ndërprerjen e bisedimeve në mesin e muajit korrik.

Disa ditë më pas Kosova vendosi që të ndalojë importet tregtare nga Serbia duke ju kundërvënë një mase që Serbia e kishte vendosur kundruall Kosovës në vjeshtën e vitit 2008. Më 25 korrik qeveria e Kosovës filloi një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe në funksion të zbatimit të vendimit për ndalimin e importeve nga Serbia, i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës.

Operacioni nxiti reagime të ashpra të banorëve serb të cilët ngritën barrikada në rrugët kryesore. Një pjesëtar i policisë u vra gjatë një sulmi mbi policinë në afërsi të Zubin Potokut një komunë me shumicë serbe ne veri. Dhuna bëri që kontrollin në vendkalimet kufitare në veri ta marrin përsipër forcat e NATO-s të cilat i shpallën ato vendkalime si zona të kufizuara ushtarake.

XS
SM
MD
LG