Lidhje

Endevër niset drejt Stacionit Ndërkombëtar për misionin e fundit në hapësirë

  • Zëri Amerikës

Endevër niset drejt Stacionit Ndërkombëtar për misionin e fundit në hapësirë

Endevër niset drejt Stacionit Ndërkombëtar për misionin e fundit në hapësirë

Anija amerikane e hapësires Endevër u nis drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, fluturimi ky i parafundit i programit të NASA-s për fluturimet në hapësirë, i cili përfundon këtë vit.

Endevër u nis sot nga Qendra e Hapësirës Kenedi në shtetin e Floridës me një ekuipazh prej 6 astronautësh, 5 amerikanë dhe një italian. Ajo pritet të lidhet me Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës të mërkurën rreth orës 10:15 sipas Grinuiçit.

Misioni kryesohet nga astronauti amerikan Mark Kelli, gruaja e të cilit, anëtarja e Kongresit amerikan, Gabriell Gifords, u plagos rëndë nga të shtënat me armë zjarri në shtetin e Arizonës në muajin janar. Mjekët e lejuan zonjën Gifords të shkëputej nga terapia e rehabilitimit për të qënë e pranishme në nisjen e anijes Endevër. Dhjetra mijëra njerëz ndoqën nisjen e anijes së hapësirës në afërsi të Qendrës Kenedi.

Misioni Endevër ishte planifikuar fillimisht për nga fundi i prillit, por problemet me sistemin elektrik shkaktuan disa shtyrje. Ekuipazhi i NASA-s punoi me intensitet gjatë dy javëve të fundit për të përfunduar riparimet.

Endevër ka me vete një detektor me vlerë prej 2 miliardë dollarësh për Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Shkencëtarët shpresojnë që detektori i quajtur Spektometri Magnetik Alfa do t’i ndihmojë ata të mësojnë më shumë rreth origjinës së universit.

Gjatë misionit 16 ditor të anijes Endevër, 6 astronautët do të transportojnë pjesë këmbimi për stacionin ndërkombëtar, do të bëjnë riparime rutinë si dhe do të dalin në hapësirë.

Me këtë udhëtim, Endevër përfundon misionet e saj dhe do të vendoset në një muze në Los Angeles. Ajo e filloi misionin e parë në vitin 1992 dhe është anija më e re mes 3 anijeve të mbetura të programit amerikan të hapësirës. NASA do ta përfundojë programin me fluturimin e anijes Atlantis, e planifikuar për në korrik. Anija e tretë, Diskoveri u kthye në tokë nga fluturimi i fundit në muajin mars.

XS
SM
MD
LG