Lidhje

Humbjet e energjisë në rrjet deri në 50 për qind


Një pjesë e qytetarëve ankohen për çmimet e energjisë, një pjesë paguajnë rregullisht, por ka ende zona që nuk e paguajnë atë prej shumë vitesh.

Bilanci më i fundit energjitik i Shqipërisë pasqyroi ndryshime të rëndësishme strukturore, të cilat po ndikojnë mbi ekonominë. Për herë të parë studimi periodik i INSTAT regjistron një rritje të ndjeshme prodhimi nga impiantet private dhe ato të dhëna me koncension për afate të ndryshme. Vlerësohet se në këto hidrocentrale private prodhimi i energjisë u rrit 62 për qind krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë në hidrocentralet e mëdha shtetërore prodhimi u ul me rreth 20 për qind, dhe kjo solli ndikimin kryesor në rënien e burimeve të energjisë elektrike. Shkaqet janë natyrore, thonë ekspertët, prej verës së thatë dhe gjendjes së ujërave në liqenet e hidrocentraleve, por edhe prej rënies së konsumit të energjisë në tërësi.

Analistët pohojnë se qytetarët dhe bizneset po konsumojnë më pak energji elektrike, duke përdorur burime të tjera energjie si gazi, duke mos u përballur më faturat kritike të CEZ-it. Të dhënat e fundit tregojnë se përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët është ulur me afro 27 për qind krahasuar me një vit më parë. Konsumi në familje u ul me 17 për qind, megjithëse familjet mbulojnë edhe kështu rreth 60 për qind të energjisë së harxhuar. Ndërsa energjia e konsumuar nga bizneset u ul me 38 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Statistikat tregojnë humbje të mëtejshme të energjisë në rrjet. Sipas të dhënave më të fundit, po aq sa është ulur konsumi nga familjarët dhe bizneset po aq janë rritur edhe humbjet në rrjet, që deri tani kanë shkuar në maksimumin historik prej 50 për qind. Humbjet në rrjet janë rritur deri në 50 për qind, dhe aktualisht këto humbje përbëjnë afro 50 për qind të sasisë së energjisë së përdorur faktikisht në vend.

Studiuesit pohojnë se të gjitha këto humbje janë humbje joteknike, pra janë vjedhje, abuzime dhe mospagime faturash të energjisë nga përdoruesit. Kompania CEZ nuk po mundet ende të kontrollojë rrjetin e shpërndarjes apo të bëjë investime të ndjeshme për të ulur këto humbje, ndërkohë që po përpiqet kryesisht të përmirësojë mbledhjen e faturave të papaguara të energjisë.

Aktualisht Shqipëria prodhon vetë 55 për qind të energjisë gjithsej dhe thuajse po aq vidhet në rrjet nga abuzuesit. Pjesa tjetër rreth 45 për qind e energjisë vjen nga importi dhe shkëmbimet e energjisë me vende të tjera.

Ndërkohë që shifrat e humbjeve përkeqësohen, një pjesë e qytetarëve ankohen për çmimet e energjisë, faturat e shtrenjta të pamotivuara, një pjesë paguajnë rregullisht, dhe një pjesë protestojnë duke u mbledhur pranë centraleve elektrike, por në Shqipëri ka ende zona të tëra që nuk e paguajnë energjinë prej shumë vitesh.
XS
SM
MD
LG