Lidhje

Energjia, firmoset kredia me BB

  • Armand Mero

Janë 150 milionë dollarë në mbështetje të sektorit të energjisë.

Në Shqipëri qeveria nënshkroi sot marrëveshjen e huasë me Bankën Botërore për 150 milionë dollarë në mbështetje të sektorit energjitik. Marrëveshja vjen pas angazhimit të autoriteteve për të ndërmarrë ndërhyrje të thella dhe aksionit undër vjedhjeve të energjisë. Drejtoresha rajonale e Bankës Boterore Elein Goldstein tha se këto reforma ishin të nevojshme për të evituar një krizë shumë të rëndë me pasoja për ekonominë e vendit.

Zgjidhja e konfliktit me grupin cek Cez, investimet dhe reformat e parashikuara për sektorin e energjisë parandaluan, sipas drejtoreshës rajonale të Bankës Botërore, “një krizë që do të thellohej duke e detyruar qeverinë që financimet e saj të mos shkonin për shëndetësinë apo punët publike por për të mbuluar humbjet e këtij sektori”. Në 5 vitet që vijnë reformat duhet të jenë të qëndrueshme, tha zonja Goldstein, duke shpjeguar se shuma e akorduar nga Banka Botërore “do e ndihmojë qeverinë për funksionimin afatmesëm dhe për të rikthyer besimin në sektor, që është celësi për të shfrytëzuar burimet e nevoshme dhe investimet në sektorin hidroenergjitik”.

Ajo vlerësoi aksionin e ndërmarrë nga qeveria kundër vjedhjes së energjisë, si dhe vendimin për të ndryshuar strukturën e tarifimit me dy kategori, duke hequr fashën prej 300 kilowat/orë të aplikuar deri më tani. “Fasha e 300 kilowateve ka qenë gjithnjë një element që ka gjeneruar abuzime dhe heqja e saj është e domosdoshme”, theksoi zonja Goldstein.

Nga ana e tij kyreministri Edi Rama nënvizoi se ndërhyrjet në sektorin energjitik do të vazhdojnë, pavarësisht kostove politike që mund të kenë theksoi ai: “Njerëzit duhet të kuptojnë se këtu bëhet fjalë për të ardhmen, por jo për një të ardhme abstrakte të shtrirë në dekada, por për të ardhmen tonë pas një viti, pas dy vjetësh, pas pesë vjetësh, për të ardhmen e ekonomisë sonë kombëtare, për të ardhmen e ekonomisë së tyre familjare, për të ardhmen tonë si shoqëri”.

Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri shpjegoi se pjesa më e madhe e fondeve të dhëna nga Banka Botërore do të shkojnë për sistemin e shpërndarjes: “Rreth 95 milion, do të investohen për sektorin e shpërndarjes, aq shumë të lënë pas dorë nga privatizimi i dështuar dhe synon kompletimin me matësa të rinj të 300 mijë konsumatorëve, përforcimin e dy nënstacioneve në Tiranë duke rritur fuqishëm sigurinë e furnizimit në zonën e Tiranës që përbën dhe një nga zonat më të populluara të vendit. Instalimin e rreth 2600 km kablo të llojeve të ndryshme për tensionin e ulët dhe atë të mesëm, duke u shoqëruar dhe me montimin e mbi 500 kabinave elektrike dhe 10.000 shtyllave të tensionit të ulët, që do të mbulojnë kryesisht zonat më të populluara që përbëjnë dhe ato më problematiket”.

Ministri Gjiknuri theksoi se synimi është që humbjet në rrjet të zbresin nga 40 përqind në 17 përqind në vitin 2019, ndërsa arkëtimet të rriten nga 84 përqind që janë sot në 93 përqind në 2019. Ndërsa brenda katër viteve të ardhshme parashikohet liberalizimi i të paktën 40 përqind të tregut energjitik, shpjegoi ai.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG