Lidhje

Shqipëri, kriza e sektorit energjitik

  • Armand Mero

Tryezë me donatorët ndërkombëtarë në Tiranë. Ministri Damina GJiknuri premton reforma, zgjidhjen e cështjes së Cez shpërndarje dhe rishikim të tarifave të energjisë “pa goditur familjarët”

Qeveria shqiptare po kërkon ndihmën e organizmave ndërkombëtare dhe vendeve perëndimore për një mbështetje financiare për daljen nga kriza të sektorit energjitik. Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri tha sot në një tryezë me donatorë, se është parashikuar një reformë tërësore e sistemit i cili ka akumuluar borxhe të mëdha. Duke folur për rishikimin e tarifave të energjisë, ministri deklaroi se cmimi nuk do të godasë familjet.


“Kemi një sektor i cili vuan nga një defiçit i madh monetar, pra do të thotë që ka akumuluar borxhe të mëdha; kemi kompani të cilat performojnë të gjitha me humbje për shkak të mungesës së likuiditetit në sektor; kemi disa çështje të tjera që janë krijuar nga politika të pamenduara mirë dhe të pa planifikuara, e që patjetër duhet të adresohen në mënyrë që energjia të jetë një sektor i qëndrueshëm nga ana financiare. Aktualisht, barrën për mungesën e performancës së sektorit po e përballon Buxheti i Shtetit apo indirekt taksapaguesit shqiptarë”, deklaroi ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri

Ai shprehet se vetëm një ndërhyrje shumëplanëshe do të mund të bënte që sektori i energjisë të dalë nga situata e rëndë në të cilën ndodhet. Përvec masave që synojnë frenimin e humbjeve, vjedhjeve dhe mospagimit të energjisë, qeveria synon realizimin edhe të një sërë reformash. Ndër hapat e parë ministri Gjiknuri përmendi një ligj të ri për energjinë: “Një ligj i cili do të implementojë shumë shpejt edhe paketën e tretë të direktivës, do të krijojë mundësinë edhe të hapjes së një pjese të tregut të energjisë për liberalizimin dhe nxjerrjen jashtë skemës së klientëve të rregulluar. Kjo gjë që sipas llogaritjeve tona paraprake do të krijojë edhe një 20% treg, jashtë tregut të rregulluar të energjisë, çka do të thotë se do të krijojë mundësi për një konsum dhe për një rol të operatorëve privatë, tregtarëve të energjisë, apo edhe prodhuesve të pavarur”.

Duke krijuar hapësira për prodhuesit privat, qeveria synon të arrijë një marrëveshje për rishikimin e kontratave të nënshkruara me ta, duke qenë se aktualisht është Korporata energjitike ajo e cila garanton blerjen e gjithë prodhimit të tyre me cmimet e tregut, gjë e cila shoqërohet me pasoja financiare për të, duke qenë se ajo e rishet me tarifa shumë më të ulta.

MInistri Gjiknuri premtoi edhe rishikimin e ligjit për energjitë e rinovueshme, më mënyrë që sipas tij të ketë një orientim më të drejtë për të ardhmen e sekortit energjitik. Një tjetër problem i cili sipas ministrit do të marë një zgjidhje të shpejtë është ai me sistemin e shpërndarjes. Paketa e aksioneve kontrollohet nga cekët e grupit Cez, ndërsa shoqëria drejtohet prej më shumë se një viti, nga një administrator publik: “Kjo zgjidhje, shpresojmë të jetë miqësore, por edhe nëse nuk do jetë e mundur kjo, ne duhet të marrim një qëndrim në mënyrë që kompania të kthehet në një administrim të plotë shtetëror, të ketë llogaridhënie, pasi kështu siç është nuk është as privat as shtet. Këtë duhet ta bëjmë sa më shpejt, në mënyrë që të bëjmë të mundur që një pjesë të atyre investimeve nga donatorët, të bëhen efektive dhe që kompania të fillojë të jetë teknikisht më e qëndrueshme e nga ana operacionale të jetë më eficente”.

Ministri Gjiknuri foli edhe për rishikimin e tarifave të energjisë të cilat duhet të reflektojnë sic tha ai koston e saj: “Patjetër, duke u kujdesur që çmimi asnjëherë të mos godasë familjet, duam qëndrueshmërinë e çmimit, por njëkohësisht duam që tehun e reformave tona, në fillim ta orientojmë tek ndalimi i abuzimit me energjinë elektrike, siç është rasti i humbjeve të jashtëzakonshme në sistemin e shpërndarjes”.

Dalja nga gjendja në të cilën ndodhet sektori, të cilit së fundmi i është shtuar edhe thatësira e madhe që ka ulur ndjeshëm nivelin e ujërave në hidrocentrale, kërkon një mbështetje financiare. Ministri Gjiknuri tha se po zhvillohen bisedime me Bankën Botërore. Qeveria shpreson të marrë afër 100 milion euro për të dalë nga situata emergjente. Përfaqësuesi i Bankës botërore në takim, deklaroi se nevojiten ndërhyrje serioze që nga reduktimi i humbjeve te rishikimi i modelit të tregut. Banka tha ai mbështet reformat që Ministria po ndërmerr dhe është e gatshme të mbështesë nivelin e investimeve që do të nevojiten.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG