Lidhje

Kongresmeni Engel paraqet deklaratë për nder të Azem Hajdarit


Anëtari i Kongresit amerikan Eliot Engel paraqiti në Dhomën e Përfaqësuesve një deklaratë për të nderuar Azem Hajdarin, udhëheqësin e lëvizjes për demokraci në Shqipëri në 15 vjetorin e vrasjes. Përmes fjalëve dhe veprave, thuhet në deklaratë, Azem Hajdari tregoi se liria nuk dhurohet, por fitohet me përpjekje, vendosmëri dhe besim.

Azem Hajdari, i cili u vu në krye të lëvizjes studentore që përshpejtoi rënien e komunizmit në Shqipëri, u vra më 12 shtator 1998. Ai kishte mundur t'i mbijetonte një atentati të mëparshëm në vitin 1997 brenda parlamentit shqiptar, ku mori plagë të rënda.
Gjatë konfliktit në Kosovës, thuhet në deklaratën e Kongresmenit Engel, Azemi mbështeti gjithashtu lëvizjen e Kosovës për liri e pavarësi, duke i kushtuar asaj kohë dhe energji.

Në deklaratën e tij, Eliot Engel, anëtar i Dhomës së Përfaquesve dhe numri i dy i komisionit për marrëdhëniet me jashtë të kësaj Dhome, thotë se Azem Hajdari ishte një mbrojtës i fuqishëm i vlerave demokratike dhe hero për shumë shqiptarë. Zoti Engel u kërkon kolegëve të tij, anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, të përkujtojnë Azem Hajdarin për kontributin historik në ndërtimin e demokracisë në Shqipëri.
Më 12 shtator, shqiptarë nga i gjithë vendi, nga Kosova dhe vende të tjera do të mblidhen për ceremoninë e rivarrimit të Azem Hajdarit, i cili do të prehet në varrezat e dëshmorëve në Tiranë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG