Lidhje

Engel: Kosova dhe Ballkani jugor të bëhen përparësi për SHBA


Engel: Kosova dhe Ballkani jugor të bëhen përparësi për SHBA
Engel: Kosova dhe Ballkani jugor të bëhen përparësi për SHBA

Në tre vjetorin e pavarësisë së Kosovës, Kongresmeni Eliot Engel kërkon që Kosova dhe Ballkani jugor të bëhen një përparësi për Shtetet e Bashkuara, si edhe që ato të luajnë një rol udhëheqës në bisedimet për të ardhmen e rajonit. Në komentet që bëri sot për Zërin e Amerikës, bashkëkryetari i grupit të çështjeve shqiptare në Kongres, tha se i ka dërguar Presidentit Barak Obama një letër të nënshkruar nga 20 anëtarë të Kongresit, demokratë dhe republikanë.

Kongresmeni Engel tha se ia kishte dërguar letrën Presidentit Obama për të theksuar rëndësinë e rolit udhëheqës amerikan në Kosovë dhe në Ballkan.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Engel bën thirrje që Shtetet e Bashkuara të luajnë rol kryesor në ndërmjetësimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe të jenë të pranishme në të gjitha fazat e tij së bashku me Bashkimin Evropian.

Zoti Engel thotë se pa praninë e Shteteve të Bashkuara, populli i Kosovës nuk do të ketë besim në këtë proces dhe se dialogu ka të ngjarë të dështojë.

Kongresmeni tha se në letrën drejtuar presidentit amerikan, ai shpreh shqetësimin se Bashkimi Evropian mund të ketë filluar ta favorizojë Serbinë pa dashje përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe heqjes së regjimit të vizave.

Kosovës nga ana tjetër nuk i është ofruar ndonjë plan për rrugën drejt Evropës. Kosova dhe populli i saj mbeten më të izoluar se sa vendet e tjera të Ballkanit.

Megjithëse nuk kundërshtojmë anëtarësimin e Serbisë në BE, tha zoti Engel, nëse Serbia hyn në BE para se të zgjidhet çështja e Kosovës, Serbia do të mund t’i vërë veton anëtarësimit të Kosovës në BE në të ardhmen. Kjo do të rrezikonte ta kthente Kosovën në një vrimë të zezë të rajonit. Kjo, tha Kongresmeni Engel, mund të shmanget vetëm nëse Shtetet e Bashkuara e bëjnë Kosovën dhe Ballkanin jugor një përparësi dhe marrin rol udhëheqës në bisedimet e ardhshme dhe në të ardhmen e rajonit.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG