Lidhje

Eno Peçi, balerini i suksesshëm i Operas së Vjenës

  • Isabela Çoçoli

Eno Peçi, balerini dhe koreografi shqiptar është bërë tashmë sensacion jo vetëm në qarqet artistike të Vjenës, por edhe në ato ndërkombëtare. Ai ka mbi 15 vjet që punon në Operën e Vjenës dhe është zgjedhur të interpretojë edhe në koncertin e shumëpritur në gjithë botën me rastin e vitit të ri. Të ndjekim kolegen Isabela Çoçoli me një profil të balerimit të famshëm Eno Peçi.



Dihet mes artistëve, por edhe nga publiku artdashës se është tejet e vështirë të pranohesh nga Opera e Vjenës, dhe ndoshta edhe më e vështirë të zgjidhesh për të interpretuar në koncertin e Vitit të Ri të Orkestrës Filarmonike të Vjenës, qoftë si muzikant, qoftë si balerin. Kjo arritje nuk ka qënë e lehtë për të riun nga Shqipëria, Eno Peçi. që tashmë është bërë sensasion ndërkombëtar.

“Sigurisht që duhet kohë që të arrihet një nivel i duhur, por me mund, me përpjekje dhe me shumë, shumë, shumë durim çdo gjë është e mundur”.

Duke ndjekur Enon në skenë nuk mund të mos vihet re një enterpretim tepër kompleks. Është vetë roli, ajo çfarë duhet transmetuar tek shikuesi, sinkronizimi i lëvizjeve personale me muzikën, sinkronizimi i lëvizjeve me balerinën ose me grup balerinësh, është vetë linja e saktë e lëvizjes, është figura që krijon vetëm, si çift, ose si grup. Dhe për realizimin e gjithë kësaj koreografie duhen orë të gjata pune dhe një përgatitje fizike intensive.

“Sigurisht që është një punë e madhe dhe e gjatë. Neve bëjmë stërvitje në mëngjes dhe pastaj provat për të sinkronizuar ushtrimet tona me muzikën. Sa më shumë t’i përsëritësh aq më shumë ato sinkronizohen me njera tjetrën. Detajet e vogla që mund të bëhen edhe më mirë arrihen në studio përpara se të jepet shfaqja”.

Në kërcimin e Enos vihet re një fenomen i rallë. Ngrirja në kohë e figurës së krijuar, qoftë edhe për një sekondë, në momentet e shkëputjes nga dyshemeja e skenës. Sa më shumë që i sheh këto fotografi, as më e kapshme bëhet vështirësia e realizimit të figurës dhe perfeksionimi i saj. Spakata është e vështirë në tokë, jo më në ajër. Arrihet me këmbëngulje dhe me përgatitje fizike të vazhdueshme, thotë Eno, pa lënë aspak në harresë edhe rolin e fotografit që kap momentin.

“Prandaj stërvitemi çdo mëgjes, kemi rregjimin tonë si balerin. Trupi duhet mbajtur në formën e duhur dhe natyrisht me kalimin e viteve je në gjendje të bësh edhe spakatën në ajër. Por puna pastaj është e fotografit që ta kapi në momentin e duhur”.

Eno luan në çdo rol, nga tragjiket tek komiket, këta të fundit tejet të sofistikuar dhe aspak më të lehtë për t'u interpretuar. Ai thotë se nuk ka ndonjë preferencë të veçantë për rolet.

“Më pëlqen të bëj çdo rol, çdo karakter, si të keq si princ. Çdo rol është i mirë për një balerin, sepse vlen për eksperiencë, mbledh më shumë eksperienca. Është mirë të ndryshosh role, të mos bësh vetëm princin, ose vetëm komike, ose vetëm të këqia. Është më interesante për një balerin”.

Gjatë katër viteve të fundit Eno është marrë me koreografi dhe është pritur shumë mirë si nga kolegët e tij balerinë, ashtu edhe nga kritika dhe publiku.

XS
SM
MD
LG