Lidhje

Disa vende në G20 nuk përmbushin premtimet për klimën


Disa nga vendet e industrializuara të G20-ës nuk po përmbushin zotimet për uljen e ndotjes, sipas marrëveshjes së Parisit të arritur në 2015. Shkencëtarët frikësohen se do të bjerë energjia fillestare në këtë drejtim pas zgjedhjes së presidentit të ri amerikan, Donald Trump, i cili premtoi gjatë fushatës tërheqjen nga kjo marrëveshje.

Shkencëtarët në London School of Economics konkluduan se gjashtë vende, Shtetet e Bashkuara, Argjentina, Australia, Kanadaja, Arabia Saudite dhe Turqia, nuk po miratojnë legjislacionin e duhur për të arritur objektivat e uljes së ndotjes:

“Çfarë kuadri ligjor ekziston dhe çfarë stimujsh për të ulur gradualisht çlirimin e gazeve? Në Shtetet e Bashkuara kemi p.sh. ‘Planin për Energjinë e Pastër’, por është një plan sektorial. Nuk ka një objektiv mbarëkombëtar për të gjitha ndotjet që çlirohen në atmotsferë.”

Raporti po qarkullon gjatë takimit global të klimës në Marakesh, të Marokut. Delegatët synojnë miratimin e politikave të detajuara pas marrëveshje së Parisit, për të ulur me dy gradë celcius ngrohjen globale:

“Marrëveshja e Parisit është ratifikuar nga 110 vende. Është marrëveshje delikate dhe ekziston potencial për grindje ndërmjet këtyre vendeve. Por është fituar një ritëm i mirë. Vendet e dinë drejtimin që duhet të marrin dhe e kuptojnë se është në interesin e tyre.”

Kjo inerci mund të ngadalësohet prej fitores në SHBA të Donald Trump, i cili premtoi gjatë fushatës tërheqjen nga marrëveshja.

Në Marakesh, delegatët nga e gjithë bota i bëjnë thirrje Uashingtonit të përmbushë detyrimet:

“Asnjë administratë e tanishme apo e ardhshme nuk duhet të zhbëjë vullnetin e përbashkët të popujve të botës për ta bërë planetin tonë një vend më të mirë që garanton jetesën e të gjithëve.”

Shkencëtarët e klimës thonë se gjatë administratës Obama, Shtetet e Bashkuara kanë qenë në pararojë në këtë drejtim:

“Një plan i sapoqarkulluar nga administrata Obama synon uljen me 80% të gazeve ndotëse deri në vitin 2050. Është një objektiv shumë ambicioz, por nuk mjafton.”

Vendi që ratifikoi rishtazi marrëveshjen e Parisit është Britania. Ekzistojnë shpresat se vendet aleate të SHBA-së do ta bindin zotin Trump të ruajë anëtarësimin e SHBA-së në këtë marrëveshje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG