Lidhje

PE miraton MSA-në me Kosovën


Parlamenti Evropian i hapi rrugën zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të Kosovës me BE-në që u nënshkrua në tetor të vitit të kaluar

Parlamenti Evropian votoi të enjten në favor të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, duke i hapur rrugën procesit të hyrjes në fuqi të saj.

Votimi pasoi debatin e zhvilluar të mërkurën gjatë të cilit nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek,njëherësh raportuese për Kosovën, tha se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit "është një akt historik në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së sepse është dokumenti i parë që rregullon marrëdhëniet kontraktuale ndërmjet tyre".

Ndërsa komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Negociata të zgjerimit, Johannes Hahn, tha se "kjo marrëveshje ka një rëndësi të veçantë" ndërsa ka shprehur bindjen se ajo do të ndihmojë zhvillimin ekonomik të Kosovës si dhe tërheqjen e investimeve të huaja që do të ndihmonin për krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.

Pas votimit në Parlamentin Evropian, Këshilli i BE-së duhet të vendose për përmbylljen marrëveshjes.

Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi në fillim të pranverës.

Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruan MSA-në më 27 tetor dhe kjo u bë e mundur pas marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë, të cilat ndërkaq Serbisë, i siguruannegociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat u hapën më 14 dhjetor.

Por, marrëveshjet me Serbinë çuan në një krizë politike në Kosovë. Që nga 22 shtatori, parlamenti i Kosovës kaloi një periudhë tensionesh në seancat e të cilit u përshkuan me gaz lotsjellës e skena dhune edhe në rrugët e Prishtinës, gjatë protestave të opozitës kundër marrëveshjespër asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Opozita i ka bërë thirrje qeverisë që të jap dorëheqje dhe të hapet rruga për zgjedhje të jashtëzakonshme, zgjidhje kjo sipas tyre e vetme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila vlerësoi se pjesë të marrëveshjes për asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Qeveria është zotuar se do të respektojë vendimin e gjykatës ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të heq dorë nga veprimet e dhunshme.

XS
SM
MD
LG