Lidhje

PE: Liberalizimi i vizave - në duart e politikanëve


Komiteti për punë të jashtme i Parlamentit Evropian, votoi të enjten në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, që paraqet hapin e parë në procedurat e votimit të këtij procesi në PE. Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, që është njëherësh edhe raportuese për Kosovën, tha se "topi është në oborrin e parlamentit dhe qeverisë së Kosovës.

Më vjen keq që deri tash nuk ka pasur përparim të mjaftueshëm në lidhje me përmbushjen e dy kritereve të fundit për liberalizimin e vizave, si ratifikimi ende në pritje i marrëveshjes kufitare me Malin e Zi dhe që qeveria të dëshmojë më shumë përparim në dënimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelin e lartë", tha zonja Lunaçek

"Tash është koha për të vepruar dhe u bëj thirrje të gjithë politikanëve përgjegjës të të gjitha palëve në Kosovë që të ndërmarrin hapat e domosdoshëm dhe të hapin rrugën për udhëtimet pa viza", tha mes tjerash zonja Lunaçek.

Të martën, raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, tha se Komiteti për liritë civile shtyu për 5 shtator votimin për këtë çështje për shkak të mungesës së përparimit në ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Por asnjëri nga vendimet e komiteteve të Parlamentit Evropian, nuk ka ndikuar në zbutjen e ndarjeve të thella rreth kësaj çështjeje në Kosovë.

Opozita pohon se marrëveshja e nënshkruar në gusht të vitit 2015, e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi i saj, me gjithë vlerësimet edhe ndërkombëtare se shënimi i kufirit është në pajtim më dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, ritheksoi të enjten kundërshtimin ndaj marrëveshjes për shënimin e kufirit me Mali e Zi, duke kërkuar aq ajo të mos dërgohet si e tillë në parlament.

Me asnjë kusht kjo marrëveshje për demarkacion as nuk bën të ratifikohet e as të sillet në Kuvend në formën në të cilën është. Zgjidhja është shumë e lehtë dhe e thjeshtë; marrëveshja duhet të rishikohet dhe procesi duhet të fillojë nga zero” tha ai duke nënvizuar se "nuk ka forcë politike në Kosovë që e kundërshton idenë e demarkacionit me Malin e Zi, por demarkacioni, nuk duhet ta cenojë interesin as të Kosovës e as të Malit të Zi".

Kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli, i bëri thirrje lëvizjes Vetëvendosje që të lejojë debatin.

Ju nuk po na lejoni as të bisedojmë. Ju nuk e dini as çfarë mendimi kemi. Ju nuk e dini as çfarë vendimi do të marrim. Na lejoni mundësinë që njerëzit të na dëgjojnë dhe pastaj vendimmarrja do të jetë transparente. Ju nuk mund t’ua impononi kolegëve të tjerë deputetë marrjen e vendimit”, tha zoti Veseli.

Ratifikimi i marrëveshjes kërkon dy të tretat e votave në parlamentin e Kosovës dhe partitë në pushtet ende nuk e kanë dërguar çështjen në parlament nga droja se deputetë nga radhët e tyre, mund të votojnë kundër për shkak të pakënaqësive me procesin.

Ndonëse të dyja palët bëjnë thirrje për një pajtim rreth kësaj çështjeje, deri tash nuk ka pasur asnjë përpjekje për krijimin e një konsensusi rreth saj. Analistët thonë se një shtytje mund t'i jap vizita e ndihmës sekretares amerikane të shtetit Victoria Nuland këtë fundjavë në Kosovë.

Kosova mori udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në qershor të vitit 2012 dhe propozimin katër vjet më pas, por qytetarët e saj edhe më tej janë të vetmit në Evropën Juglindore që nuk mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e zonës Shëngen, që përfshinë pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG