Lidhje

Regullat mbi industrinë e qymyrgurit në SHBA


Agjencia amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit, EPA sapo përfundoi një turne në gjithë vendin për të marrë komente ndërsa harton regullat e saj për të vendosur standarde më të rrepta për mbrojtjen e pastërtisë së atmosferës ndaj uzinave të energjisë së qymyrgurit, të cilat çlirojnë një të tretën e gazeve që ndikojnë në ndryshimet klimatike.

Një koalicion grupesh ambientaliste marshoi drejt selisë së Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, duke kërkuar standarde të reja.

Mollie Rauch foli në emër të organizatës jofitimprurëse, Nënat për Ajër të Pastër dhe familjes së saj.

“Kjo është arsyeja që jam këtu. Nëse vazhdojmë të ndotim mjedisin pa asnjë lloj kontrolli, ne do t’i lemë fëmijët tanë me një të ardhme të pasigurtë dhe të pashëndetshme”.

Përllogaritet se 1 mijë uzinat e qymyrgurit të Amerikës shkaktojnë një të tretën e ndotjes së vendit, ndërkohë që ofrojnë gati 40 për qind të elektricitetit. Ligjvënësi më i lartë republikan në Senatin amerikan, Mitch McConnell kundërshtoi masat, që ai tha se do të dëmtonin shtetin e tij të Këntakit, një prodhues i madh qymyrguri.

“Kjo administratë ka shpallur luftë kundër qymyrgurit. Për shtetin e Këntakit, kjo do të thotë luftë kundër vendeve të punës dhe kundër ekonomisë së shtetit tonë”.

Zbatimi i rregullave kundër ndotjes dhe për energji më efiçiente, të cilat tashmë ekzistojnë, është një qëndrim më i mirë se sa miratimi i rregullave të reja, thotë lobisti i industrisë së energjisë, Scott Segal. Ai paralajmëroi se masat kufizuese do të detyrojnë mbylljen e uzinave, që do të rezultonin në humbjen e vendeve të punës dhe pakësimin e asaj që tani shikohet si një burim energjie i mundshëm dhe i përballueshëm ekonomisht për miliona njerëz.

“Nëse vendosim një rregull unilateral, ndikimi ironic mund të jetë në fakt shtimi i barës së dioksidit të karbonit në uzina që funksionojnë në vende me më pak energji efiçiente se sa në Shtetet e Bashkuara”.

Mes planeve që po shqyrtohen nga agjencia EPA është një teknikë e zhvilluar nga Këshilli për Mbrojtjen e Burimave Natyrore.

Eksperti i këtij këshilli, David Doniger tha se kjo teknikë nuk kërkon mbylljen e të gjitha uzinave të qymyrgurit.

“Askush nuk po propozon standarde që do të shkaktonin mbylljen e të gjitha këtyre uzinave. Bëhet fjalë për një ndrshyshim nga uzinat me ndotje më të lartë në ato më të pastra, nga uzinat me energji fosile në unina me energji të ripërtëritshme madje edhe uzina me energji bërthamnore”.

Zoti Doniger thotë se është përgjegjësi e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit që të kontrollojë çlirimin e dioksidit të karbonit dhe të mbrojë mjedisin, madje ai sugjeron se uzinat, që punojnë me energji më efiçiente në vend të uzinave, që shkaktojnë ndotjen e mjedisit, mund të ulin ndotjen dhe të kursejnë para.

“Kjo është një marrëveshje më e mirë për konsumatorët e firmave energjitike. Është një marrëveshje më e mirë për ne si qytetarë dhe ata që mund të humbasin janë ata që kanë investuar në disa prej uniznave më të vjetëra dhe, që shkaktojnë më shumë ndotje".

EPA po shqyrton tani komentet e bëra në të gjitha seancat e zhvilluara në mbarë vendin dhe do të vendosë standarde të reja në qershor. Rregullat më të rrepta do të ndihmojnë administratën Obama të përmbushë zotimet e bëra për të ulur nivelet e dioksidit të karbonit nga nivelet e vitit 2005 me 17 për qind deri në fund të kësaj dekade.
XS
SM
MD
LG