Lidhje

Shqipëria dhe programi "Erasmus" i BE-së


Bashkimi Europian paraqiti sot në bashkëpunim me qeverinë shqiptare programin Erasmus për të mbështetur sipërmarrësit e rinj në nismat e tyre. Projekti do të zbatohet nga agjencia rajonale e zhvillimit, që ka ngritur tashmë një rrjet në 6 qytete të mëdha Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, ku ekspertët shqyrtojnë projektet e sipërmarrësve të rinj.

Sipas Komisionit Europian, kanë përfituar nga programi Erasmus vitin e kaluar 270 mijë studentë dhe sipërmarrës të rinj në Europë, për të studiuar dhe për t'u trajnuar, derisa të nxjerrin idetë e reja për biznes. I ngarkuari me punë i Bashkimit Europian në Shqipëri Klive Rumbold thotë se programi i ri Erasmus parashikon të financojë 4 milionë persona në hapësirën e Bashkimit Europian për 7 vitet e ardhshme, nga të cilët 2 milionë krijues e studentë me ide të reja dhe të tjerat për sipërmarrje dhe grupe shkencore.

Shifrat tregojnë se Erasmus është bërë një program mjaft popullor se asnjëherë më parë, duke rritur ndjenjat e përkatësisë europiane, rriti mundësitë e punësimit dhe planet për karrierë. - tha zoti Rumbold. Erasmus ka për qëllim të mbështesë idetë e reja të biznesit për teknologji, shpikje, dhe bashkëpunim me biznese të fushës. Po ashtu projekti mbështet me financime pranë bankave për nismat e reja, u jep atyre informacion mbi ecurinë e tregjeve rajonale, konkurrencën europiane.

Ministri i zhvillimit ekonomik, tregtisë dhe sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, thotë se sipërmarrjet e reja sjellin një rritje ekonomike të pazakonshme. Sipas tij, rritja ekonomike tradicionale me 2-4 për qind është e pamjaftueshme për mirëqenie, prandaj duhen mbështetur idetë e reja të biznesit, që sjellin kapërcime ekonomike dhe rritje mbi 6-7 për qind. Rritja lineare nuk mjafton, ndaj duhen mbështetur sipërmarrësit e rinj, që sjellin kërcime të jashtëzkonshme zhvillimi.

Shqipëria shpreson shumë që me përfshirjen në programin Erasmus të BE-së të përfitojë mbështetje për zhvillimin e bujqësisë, energji, mjekësi dhe fusha të tjera. Sipas ideatorëve dhe drejtuesve të projektit, studiuesit shqiptarë mund t'i mbyllin kërkimet e tyre me shpikje dhe ide biznesi dhe për suksesin e tyre mbështtjen e kanë gati me programin Erasmus.

XS
SM
MD
LG