Lidhje

Vizitë në lagjen e Recep Tayyip Erdoganit


Protestat e kohëve të fundit në Turqi kanë bashkuar në një front grupe të ndryshme opozitare me programe të ndryshme politike. Ata janë bashkuar në thirrjen e tyre për t’i dhënë fund qeverisjes 11 vjecare të kryeministrit Recep Tayyip Erdogan, megjithëse udhëheqësi turk nuk po shfaq shenja zmbrapsjeje.

Lagjia Kaptanpasha e Stambollit është një zonë punëtorësh, ku të gjithë banorët e njohin dhe e mbështesin njëri-tjetrin.

Kryeministri i Turqisë Recep Tayyip Erdogan u rrit në një kompleks modest apartamentesh dhe banorët janë krenarë për këtë.

Disa prej tyre mblidhen në çajtoren e lagjes për të luajtur me letra dhe për të kaluar kohën. Kamarieri i papunë Onder Terkan thotë se zoti Erdogan është popullor sepse është mysliman i devotshëm.

“Na pëlqen kryeministri sepse ai lutet dhe agjëron. Ne jemi 98 për qind myslimanë dhe sigurisht që gjithkush e pëlqen një kryeministër që ka të njëjtin besim si ne”.

Por jo gjithkush mendon kështu. Demonstratat kundër qeverisë vazhdojnë në Sheshin Taksim. Ato filluan para një muaji lidhur me prishjen e një parku, por janë intensifikuar me thirrjen për dorëheqjen e zotit Erdogan. Ja ç’thotë Sati Ay, i cili punon si roje sigurie.

“Ai përdor forcë të tepruar, shtyp popullin dhe shikon vetëm njërën anë. Nuk e dimë se pse. Ai kurrë nuk e dëgjon zërin tonë dhe vepron si diktator”.

Por në lagjen Kaptanpasha që njihet për banorët e saj të ashpër, shumë prej tyre thonë se Kryeministri nuk duhet të japë dorëheqjen. Punëtori i tekstileve Eris Dogan është një nga ata.

“Ndonjëherë ai është i ashpër. Ndonjëherë është i butë. Dhe njerëzit e pëlqejnë këtë. Mbi 50 për qind e mbështesin”.

Zoti Erdogan, 59 vjeç, u bë kryeministër në vitin 2003. Ai është rizgjedhur dy herë, gjithmonë me një numër më të madh votuesish.

Kur ishte i ri, ai bënte punë të çfarëdoshme për të mbështetur familjen. Ai u aktivizuar në lëvizjen politike islamike, kur ishte adoleshent dhe bëri katër muaj burg, sepse lexoi një poezi islamike në një tubim. Si kryetar i Bashkisë së Stambollit në mes të viteve 90, ai ishte popullor për përpjekjet e pastrimit dhe modernizimit të qytetit.

Erdogan ishte futbollist profesionist kur ishte i ri dhe ndërtoi një stadium të ri për ekipin e tij të dikurshëm Kasimpasha Spor, që sot mban emrin e tij. Si kryeministër ai ka ndërmarrë shumë projekte infrastrukture dhe rinovimi urban. Nën udhëheqjen e tij, ekonomia turke është katërfishuar dhe klasa e mesme është forcuar. Por kritikët thonë se programet e tij favorizojnë kryesisht të pasurit.

Në Kaptanpasha, disa banorë shprehin rezerva për birin e lagjes së tyre. Ja ç’thotë 72 vjeçari Hidir Aydin.

“Ai ishte një mik, njeri i mirë dhe besnik ndaj miqve. Por tani nuk jam më i sigurt. Tani ai është ngjitur shumë lart, si një helikopter që fluturon në qiell.”

Por Aydin nuk dëshiron të flasë keq për ish fqinjin e tij. Përveç gjithë të tjerave, thotë ai, Erdogan është një futbollist i zoti.
XS
SM
MD
LG