Lidhje

Vizita në Rusi e Presidentit turk


Vizita e Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Rusi në më pak se një muaj pas përpjekjes për grusht shteti ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. Ankaraja dhe Moska patën mosmarrëveshje që kur Turqia rrëzoi një avion luftarak rus në muajin nëntor. Dy vendet mbështesin palët kundërshtare në luftën civile siriane, por të dyja vendet thonë se luftojnë Shtetin Islamik. Presidenti Erdogan është i zemëruar me Shtetet e Bashkuara, të cilat i akuzon se strehojnë imamin që ai mendon se ishte organizatori i grushtit të shtetit.

Publikisht u tha se takimi në Shën Petërburg ishte për tregtinë dhe energjinë.

“Ne blejmë 28 miliardë metër kub gaz natyror nga Rusia. 18 miliardë i blejmë nga shteti rus dhe 10 miliardë metër kub ia blejmë sektorit privat”, tha Presidenti Erdogan.

Zoti Erdogan tha se rivendosja e marrëdhënieve është e rëndësishme edhe për rikthimin e turistëve rusë, të cilët iu larguan Turqisë pas rrëzimit të avionit rus.

“I mbijetuam një periudhe shumë të vështirë në marrëdhëniet tona, por ne dhe populli turk do të dëshironim t’i anashkalonim këto vështirësi për të mirën e qytetarëve tanë”, tha Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Sidoqoftë, vizita ishte më tepër një gjest kundërshtimi nga zoti Erdogan, thotë ish-ambasadori amerikan në Turqi, Marc Pierini.

“Edhe përpara puçit, Turqi ishte e izoluar. Dhe tani pas puçit, që ishte një poshtërim i madh për presidentin turk, duan të tregojnë se janë sërish në lojë. Meqë nuk u pëlqeu qëndrimi i SHBA-së dhe i BE-së, preferuan reagimin rus.”

Moska do të mirëpriste largimin e Turqisë prej BE-së dhe NATO-s, thotë analisti Jeffrey Mankoff.

“Do të ishte e leverdisshme për Putinin dhe Rusinë të shfrytëzonin tensionet ndërmjet aleatëve perëndimorë dhe të inkurajonin Turqinë ta shikonte veten më shumë si një lojtare e pavarur që përcakton vetë interesat e saj strategjike, duke u përqëndruar drejt Lindjes së Mesme, se sa drejt Evropës apo NATO-s.”

Analistët mendojnë se qeveritë ruse dhe turke kanë interesa të shumta të kundërta që nuk do të lejonin krijimin e një marrëdhënieje kërcënuese për aleatët perëndimorë të Turqisë.

“Spiranca e sigurisë së Turqisë është NATO dhe SHBA, dhe spiranca e saj ekonomike është BE-ja. Ngado që të rrotullohet, nuk gjenden alternativa më të mira”, thotë Marc Pierini, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Turqi.

Shtetet e Bashkuara u shprehën se Turqia dhe Rusia kanë shumë interesa të përbashkëta që duhen trajtuar dhe se takimi nuk do të ketë ndikim në marrëdhënien SHBA – Turqi.

XS
SM
MD
LG