Lidhje

Erdogan, vizitë historike në Greqi, palët diskutojnë për shkurtime ushtarake

  • Zëri Amerikës

Erdogan, vizitë historike në Greqi, palët diskutojnë për shkurtime ushtarake

Erdogan, vizitë historike në Greqi, palët diskutojnë për shkurtime ushtarake

Kryeministri turk Tayip Erdogan pati sot bisedime me homologun e tij grek George Papandreu për një sërë çështjesh, nga shkurtimet në shpenzimet e mbrojtjes e deri te imigracioni, turizmi dhe ekonomia. Vizita e kryeministrit turk në Greqi parashikon nënshkrimin e një seri marrëveshjesh.

Është vizita e parë zyrtare e një kryeministri turk në Greqi që nga viti 2004. Zoti Erdogan shoqërohet nga 10 ministra dhe 80 biznesmenë.

Vizita filloi me një takim me Presidentin e Greqisë Karolos Papulias në Pallatin Presidencial dhe u pasua nga një raund i parë bisedimesh me kryeministrin Papandreu.

Temat e diskutimeve përfshijnë problemet ndërkombëtare, transportin, infrastrukturën, turizmin, kulturën, policinë, shërbimet e emergjencës dhe mjedisin.

Zyrtarët i zhvilluan takimet nën masa të rrepta sigurie. Për nga rëndësia, bisedimet janë cilësuar si të tilla që hapin një epokë të re për dy rivalët historikë, një fillim i ri në marrëdhëniet greko-turke, dy vende me mosmarrëveshje të vjetra për çështjen e Qipros dhe të Egjeut.

Në kushtet kur Greqia e mbërthyer nga borxhi po ndërmerr hapa drastike, si Ankaraja ashtu edhe Athina kanë thënë se dëshirojnë të arrijnë çmilitarizimin e Egjeut si mënyrë për shkurtimin e shpenzimeve të mbrojtjes.

Greqia, e cila shpenzon për ushtrinë më tepër se çdo vend tjetër i Bashkimit Europian, ka thënë gjithashtu se dëshirton të zbutë tensionet me Turqinë. Ajo parashikon shkurtimin e këtyre shpenzimeve në masën 2 përqind.

Ndërkohë, një bombë shpërtheu sot brenda një gjykate në Selanik, disa orë pas një tjetër shpërthimi që ndodhi jashtë burgut më të madh të sigurisë së lartë në Koridhalos pranë Athinës. Njoftime për viktima nuk ka. Policia tha se media ishte paralajmëruar për shpërthimin në Selanik, dhe evakuoi ndërtesën e gjykatës.

XS
SM
MD
LG