Lidhje

Erdohan jep ultimatum për zgjidhjen e çështjes së Qipros


Erdohan jep ultimatum për zgjidhjen e çështjes së Qipros
Erdohan jep ultimatum për zgjidhjen e çështjes së Qipros

Kryeministri turk paralajmëroi të mërkurën se marrëdhëniet e vendit të tij me Bashkimin Europian do të “ngrihen tërësisht” nëse Qiproja merr presidencën e bllokut para se të arrihet një marrëveshje për ribashkimin e ishullit të ndarë në vija etnike. Ky kërcënim, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones nga Stambolli, është pjesë e asaj që shihet si një qëndrim më i ashpër i kryeministrit turk ndaj BE-së dhe Qipros.

Zoti Erdohan shfrytëzoi rastin të ashpërsonte qëndrimin e tij gjatë një vizite dy-ditore në pjesën turke të Qipros veriore për të shënuar 37-vjetorin e pushtimit të ishullit nga Turqia.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të OKB-së, Qiproja vazhdon të jetë e ndarë që nga pushtimi në vitin 1974 nga Turqia në përgjigje të një grushti shteti të nxitur nga Greqia. Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, zoti Erdohan paralajmëroi se koha për përpjekjet e ribashkimit po mbaron.

“Të gjithë duhet ta dinë se mundësia e tanishme për Qipron nuk do të jetë gjithmonë e hapur,” tha ai. “Pala turke e Qipros veriore po punon për arritjen e paqes dhe zgjidhjen e të gjitha padrejtësive. Kjo nuk durohet më.”

Kryeministri njoftoi se Ankaraja do t’i tërhiqte të gjitha lëshimet e bëra sipas planit të dështuar të OKB-së në 2004-ën. Sipas atyre kushteve, qipriotët turq votuan për ribashkim, ndërsa qipriotët grekë votuan kundër tij.
Lëshimet përbëjnë bazën e përpjekjeve të OKB-së për ribashkimin e ishullit, për të cilat vëzhguesit thonë se po lëkunden.
Ioannis Grigoriadis në Universitetin Bilken të Ankarasë thotë se deklarata e zotit Erdohan nxiti zemërimin dhe tronditjen e qipriotëve grekë.

"Deklaratat e tij të fundit nuk do t’i ndimojnë përpjekjet për ringjalljen e procesit të negociatave në ishull. Në Republikën e Qipros dhe në Greqi ekzistonte përshtypja se pas zgjedhjes së zotit Erdohan, ai do të mbante një qëndrim më të moderuar në lidhje me çështjen e Qipros dhe ata shpresonin se procesi i negociatave do të ringjallej."


Richard Howitt, zëdhënës i çështjeve turke për bllokun socialist në Parlamentin Europian, paralajmëron se kërcënime të tilla mund të jenë kundër-produktive për Ankaranë.

"Kërcënimet për mbylljen e rrugëve të komunikimit nuk do të ndihmojnë. Sepse ka shumë njerëz në anën europiane që do ta shohin këtë si mundësi në vend të një kërcënimi. Unë nuk dua t’i japim material kundërshtarëve të Turqisë të cilët do të ishin të kënaqur nëse Turqia do t’i ngrinte vetë negociatat dhe do ta shfrytëzonin këtë rast për t’i pezulluar apo mbyllur fare negociatat.”

Turqia filloi bisedimet zyrtare për anëtarësim në BE në vitin 2005, por është e pakënaqur nga përparimi i bërë deri tani. Përveç Qipros, kundërshtimi i Francës dhe Gjermanisë thuajse e ka ndaluar procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE. Por tani që Turqia është një nga fuqitë rajonale ekonomike dhe politike, me ekonominë me rritje më të shpejtë në Europë, kërcënimet e Bashkimit Europian nuk kanë shumë peshë.
Zoti Erdohan ka paralajmëruar BE-në se nëse ishulli nuk ribashkohet deri vitin e ardhshëm, Turqia do ta zgjidhë vetë këtë çështje. Kjo interpretohet nga analistët sikur Ankaraja do të përdorë fuqinë e saj ekonomike dhe politike për të kërkuar njohje ndërkombëtare për një shtet të pavarur për qipriotët turq. Deri tani, vetëm Turqia e njeh qeverinë e Qipros turke.
Por eksperti politik Xhengiz Aktar në Universitetin Bahçesehir të Stambollit thotë se një hap i tillë do ta dëmtonte më tej kandidimin e Turqisë për anëtarësim në BE.

"Kjo mund të ketë pasoja shumë të rënda. BE-ja duhet ta rishikojë qëndrimin ndaj negociatave me Turqinë. Në fund të fundit, ky do të ishte aneksim i territorit të BE-së."

Por diplomatët e lartë dhe politikanët turq kanë paralajmëruar vazhdimisht se bisedimet e tanishme të OKB-së ofrojnë mundësinë e fundit për ribashkimin e Qipros. Kjo deri tani është trajtuar thjesht si retorikë e Turqisë. Tani, zoti Erdohan duket më i vendosur se kurrë që çështja e ishullit të ndarë të zgjidhet në një mënyrë apo një tjetër brenda pak muajve të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG