Lidhje

CEZ-it i hiqet licenca në Shqipëri


mero cez
mero cez

ERE emëron administratorin publik. Kjo detyrë i besohet Sait Dollapit, ish drejtor i shoqërisë së shpërndarjes së energjisë

Në Shqipëri Enti rregullator i Energjisë, Ere vendosi sot heqjen e licencës për grupin cek CEZ, i cili në 2009 bleu për 102 milion euro 76 përqind të aksioneve të shoqërisë shqiptare të shpërndarjes së energjisë. Po sot Ere, emëroi zotin Sait Dollapi në detyrën e administratorit të shoqërisë. Zoti Dollapi ka qenë drejtor i operatorit të sistemit të shpërndarjes, deri në momentin e privatizimit nga cekët.

Heqja e licencës ishte paralajmëruar prej kohësh. Grupi cek ishte kritikuar hapur për një keqadministrim të shoqërisë, parametrat financiar dhe teknik të së cilës u përkeqësuan ndjeshëm vitin e fundit, përtej nivelit që ato ishin në momentin e blerjes nga CEZ. Enti rregullator, në raportin e tij, renditi që seri shkeljesh të detyrimeve kontraktore, që nga mosrealizimi i importeve të energjisë për të mbuluar humbjet, deri te mos reduktimi i këtyre humbjeve, mor kryerja e investimeve të parashikuara, mosmbulimi i plotë i të gjithë klientëve me matëse të energjisë apo dhe mosshlyerja e detyrimeve financiare ndaj operatorit të sistemit të Transmetimit.

Konflikti mes Cez dhe autoriteteve shqiptare është thelluar që prej disa muajsh. Ndërkohë që kishin nisur procedurat për heqjen e licencës, cekët nxorrën në shitje aksionet e tyre në shoqërinë e shpërndarjes së energjisë, duke fajësuar për gjendjen e krijuar vendimet e autoriteteve shqiptare për tarifat e energjisë apo dhe veprime të paligjshme që sipas tyre janë kryer në kurriz të kompanisë. Heqja e licencës shënon fundin e aktivitetit të Cez-it në Shqipëri, por jo mbylljen e të gjithë kapitullit. Mes palëve pritet të ketë një luftë në vazhdim me histori të gjata gjyqesh dhe në Arbitrazhin ndërkombëtar, e për këtë ato janë përgatitur duke pajtuar firma të njohura konsulente në fushën e energjisë.
XS
SM
MD
LG