Lidhje

Ndryshime të dënimeve për drogat

  • Jim Malone

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Eric Holder njoftoi për një ndryshim të konsideruëshëm në mënyrën sesi qeveria federale do të ndjekë penalisht kriminelët jo të dhunshëm, të përfshirë në krime lidhur me drogën, me synimin për të lehtësuar problemin e mbipopullimit të burgjeve.

Prokurori i Përgjithshëm Holder parashtroi disa ndryshime politikash në një fjalim në një takim të Shoqatës Amerikane të Avokatëve në San Francisco.

Zoti Holder tha se shumë amerikanë futen në burgje për një kohë shumë të gjatë dhe pa ndonjë arsye të fortë të rrezikut për rendin. Ai u përqëndrua kryesisht tek krimet e vogla të lidhura me drogën që zakonisht sjellin si rezultat dënimë minimale të detyrueshme prej pesë deri në 10 vjet në burg.

Zoti Holder thotë se qeveria federale do të ndjekë tani shembullin e disa shteteve që e vënë theksin tek trajtimi i problemit të drogimit dhe programet e shërbimit në komunitet si alternative për shkelësit e padhunshëm në lidhje me drogat, që nuk janë të lidhur me bandat kriminale apo kartelet e drogave.

"Burgosjet në shkallë të gjerë në nivelet federale, shtetërore dhe lokale janë jo efikase dhe të papërballueshme. Ato shkaktojnë një barrë të rëndë ekonomike që vetëm në vitin 2010 kapi shifrën e 80 miliardë dollarëve dhe vjen me një kosto të lartë njerëzore dhe morale që është e pamundur të llogaritet”.

Dënimët e detyrueshme me burg ishin një faktor i rëndësishëm në luftën kundër drogës që filloi në vitet 1980. Por zoti Holder thotë se sistemi federal i burgjeve po funksionon aktualisht 40 për qind mbi kapacitet dhe se numri i të burgosurve është rritur me afro 800 për qind që nga viti 1980. Mbi gjysma e të gjithë burgosurve janë në qeli për krime që lidhen me drogën.

Zoti Holder ka udhëzuar gjithashtu prokurorët federalë në gjithë vendin që të hartojnë rekomandime për të zgjidhur problemin e pabarazive racore në dënimet kriminale. Ai përmendi një raport të fundit, sipas së cilit shkelësit afrikano-amerikanë marrin dënime më burgim 20 për qind më të gjatë sesa të bardhët për krime të ngjashme.

“Ne kemi shansin ta përshtasim sistemin penal me vlerat tona më të shenjta. Ky është premtimi ynë për të krijuar një shoqëri më të drejtë”.

Avokatët për reformimin e sistemit të burgjeve i përshëndetën ndryshimet e paraqitura nga zoti Holder, përfshirë Molly Gill me organizatën Familjet Kundër Dënimeve të Detyrueshme Minimale.

“Mendoj se kur dikush kryen një krim dhe del para gjykatësit, ai pret që të trajtohet si individ, t’i dëgjohet zëri. Dhe kur dënimi minimal është i përcaktuar, çfarëdo që të thuash, do ta marrësh atë dënim dhe shumë njerëz mendojnë se kjo është e padrejtë”.

Por ata që janë në favor të këtyre dënimeve dhe përkrahës të luftës kundër drogës, I kritikuan ndryshimet e zotit Holder.

William Otis është ish-prokuror federal dhe profesor i së drejtës në Universitetin Georgetown.

“Lajmi i keq është se kjo mund të interpretohet si një deklaratë që qeveria federale po e humb durimin me luftën kundër drogës. Ne kemi qenë më të suksesshëm sesa ç’mund të mendojnë shumë njerëz, përfshirë prokurorin e përgjithshëm ndoshta”.

Zoti Holder thotë se hapat që ai shpreson të vërë në jetë duhet të ndihmojnë me uljen e numrit të personave në burgje, që tani kapin shifrën 219 mijë të burgosurve. Ai vuri në dukje se megjithëse Shtetet e Bashkuara përbëjnë vetëm 5 për qind të popullsisë së botës, vendi ka çerekun e popullatës së të burgosurve në botë.
XS
SM
MD
LG