Lidhje

Estonia dhe kërcënimi rus


Brohoritjet për Rusinë në gadishullin e Krimesë pas aneksimit të tij nga rusët ishin për shumë estonianë një kujtesë e frikshme e së kaluarës.

“Kjo dëshmon se historia përsëritet, sepse në 1940 Estonia u pushtua nga trupat sovjetike dhe ishte pak a shumë e njëjta skenë,” thotë Togeri estonez Simmo Sarr.

Në atë kohë grushti i shtetit i organizuar nga sovjetikët u kamuflua që të dukej si revoltë popullore. Pas tij u organizuan zgjedhje të manipuluara, duke vënë në krye të qeverisë estoneze Partinë Komuniste. Udhëheqësit e rinj komunistë kërkuan menjëherë përfshirjen e vendit në Bashkimin Sovjetik, duke e bërë Estoninë një ndër republikat e BRSS të sapo-krijuar.

Sot Estonia është në NATO, përkrah Shteteve të Bashkuara që janë betuar të mbrojnë sovranitetin e saj. Shtetet e Bashkuara kanë rreth 5000 trupa në Estoni që nga Operacioni Vendosmëria Atlantike, një përpjekje për të qetësuar aleatët e NATO-s në pjesën lindore të Evropës.

“Nuk ka simbol më të madh të angazhimit se sa prania e ushtarëve amerikanë. Bijtë dhe bijat e Amerikës janë në terren,” tha Shefi i Shtatmadhorisë Gjenerali amerikan Martin Dempsey, gjatë një vizite në Estoni të martën.

Ai u takua me udhëheqës kryesorë estonezë në kryeqytetin e vendit, Talin.

“Jemi shumë të gëzuar që avionë amerikanë fluturojnë mbi qiejt e Estonisë, duke na krijuar një ndjenjë sigurie,” tha Ministri estones i Mbrojtjes Riho Terras, “Në këto kohë të turbullta kjo vlen jo vetëm për forcat tona të armatosura, por kryesisht për popullin”.

“Një Balancë Delikate”

Shtimi i pranisë amerikane është zgjidhja delikate që ka gjetur administrata Obama shpjegon studiuesi i Institutit Brookings Michael O’Hanlon.

“Pra një masë jo provokuese, por që e bën të qartë se nëse Rusia kapërcen kufirin, do të ketë luftë me Shtetet e Bashkuara”.

Megjithatë një luftë e tillë, thotë zoti O’Hanlon, do të zhvillohej në rrethana ku Shteteve të Bashkuara u mungojnë fortifikimet ushtarake dhe kapacitetet e reagimit të shpejtë.

Rusia është gjeografikisht aq afër, sa që Shtetet e Bashkuara do ta kishin të pamundur të parandalonin një sulm në territoret lindore të NATO-s dhe vetëm do të mund të reagonin pas një goditjeje ruse, thotë analisti.

Edhe kreu i Komandës Amerikane për Evropën, Gjenerali Phil Breedlove pohon se afërsia gjeografike e Rusisë me vendet e Evropës Lindore i jep Moskës hapësirë më të madhe për fleksibilitet. Megjithatë, ai nuk është dakord me parashikimet e analistit Michael O’Hanlon.

“Mendoj se ne jemi në gjendje ta përballojmë këtë kërcënim,” thotë Gjenerali Breedlove për Zërin e Amerikës.

XS
SM
MD
LG