Lidhje

Ethet e Luginës, shqetësuese në Kaliforni dhe Arizona


VALLEY FEVER
VALLEY FEVER
Një problem shëndetësor për kohë të gjatë në luginën qendrore të Kalifornisë është përkeqësuar në vitet e fundit, duke detyruar zyrtarët e shëndetësisë të urdhërojnë zhvendosjen e 3 mijë të burgosurve nga dy burgje shtetërore. Por sëmundja prek edhe një pjesë të konsiderueshme të popullsisë në disa komunitete rurale. Edhe pse shpesh ajo kalon pa u vënë re, nganjëherë mund të jetë shumë e dëmshme për pacientët.

Dale Pulde është duke e shitur shtëpinë e tij në Kaliforni, sepse nuk mund të vazhdojë të paguajë për të. Mekaniku i motoçikletave dhe ish piloti i garave me makina u infektua me Ethet e Luginës, në Luginën Qendrore të Kalifornisë, dhe shumicën e kohës nuk është në gjendje të punojë. Në fillim, ai kollitej aq shumë saqë humbiste ndjenjat.

"Kisha shenja në trup dhe djersitja. Mjekët nuk dinin çfarë të bënin dhe më dhanë ilaçe kundër infeksioneve si dhe dhe barna të tjera të ndryshme, por gjendja ime po përkeqësohej".

Në fund të vitit 2010, mjekët e diagnostikuan me Ethet e Luginës. Që atëherë, zoti Pulde është trajtuar me ilaçe kundër kërpudhave, duke përfshirë një që kushton rreth 1 mijë dollarë, për një shishe.

Sëmundja e Etheve të Luginës, e njohur nga mjekët si koksidioidomikoza, përhapet me anë të sporeve kërpudhore që lëshohen në ajër nga punimi i tokës. Ajo është duke u bërë më e zakonshme ndërsa qytetet zgjerohen në zonat rurale. Sëmundja vihet re në luginën qendrore të Kalifornisë dhe në zona të tjera gjysmë të thata në Jugperëndim të SHBA-së, veçanërisht në Arizona, por edhe në disa pjesë të Amerikës Latine.

Dr Robert Kaplan, një specialist i sëmundjeve infektive, thotë se gjysma e të infektuarve nuk shfaqin simptoma, ndërsa të tjerë kanë dhimbje dhe temperaturë. Një pjesë e vogël e pacientëve pëson sëmundje të mushkërive, ndërsa një për qind e tyre mund të kenë pasoja më të rënda.

"Më e rëndësishmja është meningjiti, që prek trurin dhe palcën kurrizore dhe kjo mund të jetë një sëmundje shumë, shumë e keqe".

Ethet e Luginës, në rastet më të këqija, mund të jenë fatale. Pasojat më të rënda prekin njerëzit me sistem imunitar të dëmtuar dhe, për arsye ende të paqarta, anëtarët e disa grupeve racore, thotë mjekja Claire Panosian Dunavan.

"Filipinasit, afrikano-amerikanët, indianët e Amerikës, hispanikët dhe aziatikët".

Por edhe njerëz të tjerë pak të ekspozuar apo pa imunitet ndaj sëmundjes mund të preken gjithashtu, si banorja e Seattle-it Sharon Filip. Ajo e mori sëmundjen, ndërsa vizitonte Arizonën, dhe tani, së bashku me djalin e saj, David, drejton një faqe interneti të quajtur “E mbijetuar nga Ethet e Luginës”. Zonja Filip foli për Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

"Pas sëmundjes, nuk isha më vetvetja. Dhe duhet thënë që unë nuk kam patur asnjëherë probleme me sistemin imunitar. Nuk kisha qenë e sëmurë më parë dhe nuk merrja ilaçe".

Në faqen e saj të internetit, Sharon Filip përshkruan betejën e saj me sëmundjen me shumë hollësi. Ajo thotë se kësaj sëmundjeje i duhet kushtuar më shumë vëmendje.
Doktoresha Dunavan është dakord.

"Mendoj se prioriteti i parë është rritja e ndërgjegjësimit për pacientët dhe për mjekët që duhet ta diagnostikojnë, duke u përpjekur të vënë njerëzit në trajtimin e duhur, nëse sëmundja vërtetohet".

Deri tani, nuk ka një kurë të plotë apo vaksinë për parandalimin e sëmundjes. Mjekët thonë se zbulimi i hershëm është mënyra më efektive për të luftuar Ethet e Luginës.
XS
SM
MD
LG