Lidhje

Etika e medias shqiptare, diskutim në Ditën Ndërkombëtare


Etika e medias shqiptare, diskutim në Ditën Ndërkombëtare

Etika e medias shqiptare, diskutim në Ditën Ndërkombëtare

Përfaqësues të mediave shqiptare diskutuan sot probleme të shtypit të Tiranës në Ditën Ndërkombëtare të Etikës së Medias. Kryetari i Zyrës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Volfart, deklaroi se është detyrë e shtetit që të krijojë kushte të favorshme që mediat të raportojnë të lira dhe të pavarura. Ambasadori Volfart tha në konferencën e organizuar për Ditën Ndërkombëtare të Etikës së Medias se shteti nuk duhet të ndërhyjë në përmbajtjen editoriale të mediave.

OSBE u bëri sot thirrje institucioneve shtetërore shqiptare që të mbështesin median për të raportuar në mënyrë të lirë dhe të pavarur. Kryetari i zyrës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Eugen Volfart, deklaroi sot në një takim me përfaqësues të medias shqiptare se gazetarët duhet të japin informacion të vërtetë, të saktë dhe të paanshëm. Ai i bëri këto komente në një konferencë të organizuar nga Albanian University me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Etikës në Media.

“Është detyrë e shtetit - tha ambasadori Volfart - të përgatisë dhe të krijojë kushtet që media të raportojë lirisht, ku përfshihet edhe siguria që kontratat e punësimit të zbatohen nga pronarët e mediave. Por shteti - theksoi ai - nuk duhet të ndërhyjë në përmbajtjen editoriale të medias nën maskën e rregullimit të biznesit. Problemet që lindin nga liria e medias - tha ambasadori Volfart - mund të zgjidhen përmes një lirie edhe më të madhe të medias”.

OSBE po ndihmon dhe është e gatshme që të mbështesë më tej përpjekjet për lirinë e medias në Shqipëri. Ambasadori Volfart tha se media duhet të jetë e lirë nga çdo ndërhyrje politike dhe ekonomike gjatë punës së saj për të informuar publikun. Por gazetarët duhet të çlirohen nga frika dhe lakmia. Ata e kanë për detyrë të jenë besnikë ndaj përgjegjësive profesionale, duke respektuar parimet e saktësisë, korrektësisë dhe objektivitetit. Sipas tij, bota ndodhet në një udhëkryq kur përparimet teknologjike po përdoren për të shkelur parimet bazë të etikës së medias, si mbrojtja e jetës private. “Tani ne kemi nevojë më shumë se kurrë për një media të lirë, të pavarur dhe të përgjegjshme, që jo vetëm të na informojë, por edhe të ndihmojë njerëzit të dallojnë të drejtën nga e gabuara” - tha ambasadori Volfart.

Ndërsa drejtori i Institutit Shqiptar të Medias, Remzi Lani, tërhoqi vëmendjen për vonesat në reformimin e ligjeve për shtypin. Ai tha se Shqipëria ka mbetur shumë prapa nga vendet e tjera të rajonit në përshtatjen e ligjeve të kësaj fushe. “Ne kemi nevojë për një reformë tërësore legjislative të medias. Nevojitet hartimi i një ligji serioz të standarteve europiane për median elektronike, miratimin e amendamenteve të propozura për ligjin e deformacionit, miratimin e amendamenteve të propozuara për ligjin e aksesit të informacionit si dhe miratimin e strategjisë për kalimin në dixhital. Deri para pesë vjetëve Shqipëria ishte vendi me legjislacionin e medias më të përparuar në rajon, por sot ka legjislacionin e medias më të vjetërruar në rajon. Të tjerët kanë ecur përpara ne kemi mbetur në vend” - tha ai.

Zoti Lani trajtoi edhe problemin e strukturave vetrregulluese që mungojnë në komunitetin e mediave dhe gazetarëve shqiptarë. “Kur flasim për etikën, sigurisht flasim për kodet e etikës dhe ne i kemi ato. Ato sigurisht kanë nevojë të aktualizohen. Së dyti, flasim për vetërregullimin dhe këtu na duhet të pranojmë se këtu kemi dështuar. Por nuk jemi të vetmit. Asnjë vend i rajonit, përveç Bosnjes dhe Kosovës, nuk ka arritur ende të ketë institucione funksionale të vetërregullimit. Kjo nuk do të thotë aspak që duhet të heqim dorë, por debatin mbi vetërregullimin duhet ta inkurajojmë dhe çojmë më tej” - tha zoti Lani.

Mediat shqiptare karakterizohen nga shkelje të shumta etikës profesionale, ndonëse investojnë përherë e më shumë në teknologjitë e reja. Takimi i sotëm në ditën ndërkombëtare të etikës në media ishte një rast për të trajtuar vështirësitë e mediave shqiptare edhe nga kjo pikëpamje, krahas presioneve dhe kufizimeve që ato kanë në veprimtarinë e përditshme.

XS
SM
MD
LG