Lidhje

Sequi: "Shqipëria e meriton Evropën"


"Shqipëria ka të gjithë potencialin që të realizojë ëndrën e saj të integrimit në Europë", tha Ambasador Sequi.

Drejtuesi i zyrës së Bashkimit Europian në Shqipëri ambasadori Etore Sequi, u bëri thirrje partive politike shqiptare që ta vendosin Europën në krye të temave gjatë fushatës zgjedhore, që nis formalisht pas dy javësh. Ai i bëri këto komente gjatë një takimi të posaçëm me shtypin në Ditën e Europës.

“Ne të gjithë presim me shpresë që axhenda europiane e Shqipërisë do të vendoset në krye të fushatave zgjedhore të çdo partie konkurrente. Dhe për këtë ka shumë arsye, pse njerëzit e duan që Europa të mbizotërojë fushatën”, tha Ambasador Sequi.



Sipas tij, shqiptarët janë shumë proeuropianë dhe ata e duan vërtet shumë Europën. Këtë e thonë të gjitha sondazhet, dhe vetë qytetarët shqiptarë që ai takon në rrugë nga të gjitha moshat pleq e të rinj në çdo kohë, kur e ndalin dhe e pyesin për integrimin.

“Mendoj se shqiptarët e meritojnë Europën. Ata janë dhe ndihen europianë. Shqipëria ka të gjithë potencialin e mundshëm që të realizojë ëndrën e saj të integrimit në Europë. Kjo varet nga angazhimi i gjithësecilit. Është përgjegjësia e të gjithë vendit, dhe e vetë shqiptarëve të thjeshtë, intelektualëve, politikanëve dhe mediave që ta arrijnë sukses me integrimin, duke bërë gjithsecili punën e vet në atë drejtim të përbashkët”
, tha Ambasador Sequi.

SHBA, OSBE dhe BE janë të gatshëm që të ndihmojnë në këtë drejtim, së pari me një seri projektesh të reja dhe së dyti me një numër të konsiderueshëm vëzhguesish për të ndjekur nga afër zgjedhjet e 23 qershorit.
XS
SM
MD
LG