Lidhje

BE dhe Ballkani diskutojnë veprimet kundër terrorizmit


Në një konferencë të organizuar nga Austria, ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se vendi i tij do të vazhdojë të punojë me përkushtim të palëkundur, për të luftuar këtë të keqe globale

Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit u zotuan të premten për veprime të përbashkëta që synojnë frenimin e shkuarjes së luftëtarëve nga Evropa juglindore për t'u bashkuar me xhihadistët në Lindjen e Mesme.

Ministrat e brendshëm dhe të jashtëm nga i gjithë Ballkani, u zotuan në një konferencë të organizuar nga Austria, që të punojnë me zyrtarët e Evropës perëndimore për të goditur atë që e quajtën një kërcënim në rritje.

Numrat po rriten çdo ditë”, tha në një takim me gazetarë komisionari evropian për migrim, çështje të brendshme dhe shtetësi Dimitris Avramopoulos.

Ai nuk pranoi të veçojë asnjë “pikë të nxehtë” për xhihadistët në Ballkan. Ai tha se ata janë “pothuajse gjithkund dhe askund, sepse po të ishim në gjendje të përgjigjeshim në këtë pyetje do të kishim marrë masa tashmë”.

Ka një shqetësim në rritje për ndikimin që mund të kenë trazirat në Lindjen e Mesme në vendet si Bosnja dhe Kosova, shtete këto me shumicë myslimane dhe të drobitura nga papunësia, varfëria dhe korrupsioni që nga luftërat e viteve të 90-ta.

Hapat e diskutuar në Vjenë përfshijnë pos tjerash edhe punën me kompanitë si Facebook dhe Google për të larguar nga interneti materialet e ekstremistëve dhe përfshirjen e shteteve të Ballkanit në një qendër raportuese evropiane.

Propozimet tjera përfshijnë aftësimet e përbashkëta për ruajtjen e kufijve dhe shkëmbimin më të frytshëm të burimeve nga Europoli dhe rrjeti i ti kundër terrorizimit i ngritur vitin e kaluar.

Ministri i jashtëm i Kosovës, HashimThaçi, tha se “nga gjithsej 195 luftëtarë nga Kosova të cilët kanë qenë në Siri dhe Irak, numri i tyre ka rënë në 50, kurse janë arrestuar edhe 62 veta që morën pjesë në ato luftëra”. Ai vuri theksin edhe tek ligji i miratuar nga parlamenti i Kosovës për pengimin e përfshirjes së qytetarëve të saj në luftëra të huaja e që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në ato luftëra.

Por, ministri Thaçi tha se sundimi i së drejtës nuk është i mjaftueshëm. Ai tha se në luftën për të penguar radikalizmin, veçanërisht të të rinjve, duhet përfshirë familjet, meqë “nënat dhe etërit janë aleatët më të mire që i kemi, sepse askush nuk dëshiron të shohë fëmijët e saj apo të tij të vrarë në një shkretëtirë për arsye të kota dhe të turpshme. Ne duhet t’i angazhojmë familjet dhe të gjitha strukturat e shoqërisë në parandalimin e hershëm të radikalizmit”.

Ministri Thaçi tha se duhet gjetur mënyra për ta bërë agjendën e tolerancës dhe vlerave shumë-kulturore më joshëse për qytetarët, për të nxitur dialogun ndërfetar dhe për ta bërë atë më tërheqës për të rinjtë.

Zoti Thaci u angazhua edhe për krijimin e mjeteve gjithëpërfshirëse në parandalimin ndërkufitar të ekstremizmit të dhunshëm.

Kosova tha ai. “do të vazhdojë të punojë me përkushtimin e palëkundur, 100 për qind, për të luftuar këtë të keqe globale. Ne jemi një shtet laik dhe pavarësia jonë nuk mbështetet mbi përkatësinë etnike apo fetare, por në promovimin e një Kushtetute shumetnike dhe shume konfesionale. Qeveria e Kosovës do të bëjë çmos që Kosova të mos u nënshtrohet atyre që nuk pranojnë këto vlera tona fundamentale!”, tha ministri Thaçi.

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç, tha se problemi shtrihet përtej Ballkanit, duke shtuar se gjatë shërbimit të tij 6 vjeçar si ministër i brendshëm dihej se Vjena dhe Salzburgu në Austri, ishin qendra të islamikëve radikal.

XS
SM
MD
LG