Lidhje

Udhëheqësit e BE-së arrijnë marrëveshje të re për borxhin


Marrëveshja parashikon përdorimin e fondit të përhershëm të shpëtimit për të ndihmuar bankat në vështirësi

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian arritën sot një marrëveshje për përdorimin e fondit të përhershëm të shpëtimit të organizatës, për të ndihmuar bankat evropiane që janë në vështirësi, dhe për të intensifikuar përpjekjet për një bashkim afatgjatë në aspektin buxhetor dhe atë politik. Tregjet botërore të aksioneve reaguan menjëherë pozitivisht pas njoftimit të marrëveshjes. Vlera e Euros u rrit ndjeshëm në raport me dollarin, ndërsa interesat afatgjatë për bonot e thesarit të Spanjës dhe Italisë ranë me disa pikë.

Vendimi u arrit sot pas disa orë diskutimesh në takimin e BE-së në Bruksel. Marrëveshja gjithashtu përcakton një organizëm të përbashkët mbikëqyrës bankar për bllokun 17-vendesh që përdor monedhën euro, dhe lejon përdorimin e fondeve të shpëtimit për të blerë bonot e huamarrësve që janë në vështirësi. Pjesa e fundit e marrëveshjes u arrit për të kënaqur kërkesat e Spanjës dhe Italisë, të cilat kërkonin ndihmë për lehtësimin e kostos së huamarrjes.

Presidenti i Këshillit Evropian Herman van Rompuy përshëndeti marrëveshjen gjatë një konferencë për shtyp që u zhvillua pas takimit.

“Ne ramë dakord për diçka të re që u mundëson bankave të marrin më shumë kapital në rrethana të caktuara dhe më e rëndësishmja është se kemi krijuar një mekanizëm mbikëqyrës. Vendimi i dytë që kemi arritur është hapja e mundësive edhe për vendet të cilat kanë respektuar politikat ekonomike, ne jemi duke krijuar mundësitë për përdorimin e instrumenteve financiare të stabilitetit për të qetësuar tregjet”.

Udhëheqësit e BE-së gjithashtu ranë dakord për të vendosur mënjanë rreth 150 miliard dollarë për të nxitur rritjen në ekonomitë më të dobëta të bllokut. I ashtuquajturi “Pakt i Rritjes” u hodh poshtë fillimisht nga Spanja dhe Italia, të cilat ishin kundër këtij veprimi para përfshirjes së kërkesave të tyre në marrëveshje.

Roma dhe Madridi, si ekonomitë e tretë dhe të katërt të eurozonës, kanë përjetuar ditët e fundit ngritjen e interesave të huave të tyre gati në 7 përqind. Ky është një kufi në të cilin ekonomitë më të vogla të eurozonës, si Greqia, Irlanda dhe Portugalia, u detyruan të siguronin paketa ndërkombëtare të shpëtimit financiar në dy vjetët e fundit.

Nëse Italia dhe Spanja përdorin fondin e shpëtimit të eurozonës për shitjen e borxhit të tyre, kostoja e huamarrjes mund të ulet sepse ato nuk do t’i nënshtrohen më spekuluesve në tregjet botërore.

Paketa e re e shpëtimit prej 150 miliard dollarësh për nxitjen e rritjes së ekonomive të eruzonës që janë në stanjacion është 1 për qind e ekonomise së eurozonës, por efekti i shpenzimeve është i pasigurt, sepse shumica e parave tashmë caktuar për projektet e zhvillimit.

XS
SM
MD
LG