Lidhje

Bashkimi Evropian pas "Brexit-it"


Udhëheqësit evropian e cilësuan si një sprovë të rëndë për Bashkimin Evropian votën e britanikëve në favor të largimit.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk tha se politikisht ky është një moment shumë serioz, madje dramatik dhe është e pamundur të parashikohen të gjitha pasojat e tij.

Donald Tusk
Donald Tusk

"Ky është një moment historik, por jo edhe një moment për reagime histerike. Dua të siguroj të gjithë se ne jemi përgatitur për këtë skenar negativ", tha presidenti Tusk, duke theksuar përkushtimin e udhëheqësve të Bashkimit Evropian për të ruajtur unitetin. Ai tha se ka ftuar udhëheqësit e 27 vendeve të BE-sw për një takim joformal të martën për të diskutuar situatën e re dhe se tash sipas tij është koha për të reflektim më të gjerë për të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se ftuar për të hënën në Berlin një takim me udhëheqësit e Francës e Italisë si dhe presidentin Tusk, për të diskutuar se si të sigurohet uniteti pas referendumit britanik.

Angela Merkel
Angela Merkel

"Kjo është ditë vendimtare për Evropën, ditë vendimtare për procesin e bashkimit evropian. Cili do të jetë rezultati i kësaj rrjedhe në ditët, muajt e vitet e ardhshme, varet nga ne, nëse 27 vendet anëtare kanë forcë dhe vullnet të mos marrin vendime të ngutshme e të lehta që mund të ndajnë edhe më tej Evropën dhe nëse kemi vullnet për të vlerësuar situatën qetësisht dhe me maturi në mënyrë që të sjellim vendime të përbashkëta", tha kancelarja Merkel.

Presidenti francez Francois Hollande tha se referendumi britanik e sfidon seriozisht Bashkimin Evropian, i cili sipas tij duhet të përqendrohet në përparësitë kryesore siç janë mbrojtja e siguria, ruajtja e kufijve, krijimi i vendeve të punës dhe forcimi i eurozonës, ndërsa duhet t'u lërë vendeve të përballen me çështjet që u takojnë atyre.

Francois Hollande
Francois Hollande

"Vota britanike është një sprovë për Evropën. Ajo duhet të tregojë në këto rrethana forcën dhe qëndrueshmërinë e saj duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për të për të menaxhuar rreziqet ekonomike dhe financiare", tha presidenti Hollande.

Kryeministri italian Matteo Renzi, bëri thirrje të premten që Bashkimi Evropian të ndryshojë qasjen pas votës britanike. "Duhet të ndryshohet të bëhet me njerëzor dhe më me i drejtë", shkroi ai.

Udhëheqësit e grupeve parlamentare në Parlamentin Evropian u mblodhën të premten në një takim të jashtëzakonshëm për të diskutuar situatën e re pas votës britanike. Kryetari i këtij parlamenti, Martin Schulz, tha se ky është moment i vështirë si për Bashkimin Evropian ashtu edhe për Britaninë e Madhe.

Martin Shultz
Martin Shultz

"Në duhet tani të vlerësojmë nga aspekti ligjor dhe procedural se cilët janë hapat e ardhshëm", tha ai, duke nënvizuar se tash janë kohëra të turbullta kur nevojitet qëndrueshmëri.

Vëzhguesit evropian druajnë se vota britanike mund të forcojë euro-skeptikët edhe në vendet tjera për të sfiduar bashkimin më të madh pas Luftës së Dytë Botërore.

Ata thonë se Bashkimi Evropian pëson dëme ekonomike e politike me largimin e një vendi që paraqet treg të rëndësishëm, por që njëkohësisht është vend me të drejtë vetoje në Kombet e Bashkuara dhe me një ushtri të fuqishme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu bindjen se Mbretëria e Bashkuar “do të mbetet aleat i fuqishëm dhe i përkushtuar”, derisa po e ripërcakton kapitullin e ardhshëm të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian

XS
SM
MD
LG