Lidhje

Belgjika rrezikon marrëveshjen e tregtisë BE - Kanada


Ministrat e 28 vendeve anëtare të BE-së, përfshirë Belgjikën, u zotuan këtë javë të mbështesin marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtisë me Kanadanë, CETA. Por, parlamenti i rajonit frankofon të Belgjikës, Wallonia, e refuzoi marrëveshjen. Rrezikimi i ratifikimit të marrëveshjes nga i gjithë blloku është ndër çështjet prioritare të takimit të udhëheqësve të BE-së.

Rajoni frankofon në jug të Belgjikës, Wallonia, po pengon hyrjen në fuqi të marrëveshjes së tregtisë BE – Kanada.

Një fermë bulmeti dhe drithi në Wallonia prodhon përgjithësisht për tregun vendas dhe ka qenë në pronësi të familjes së Karin Godfriaux për breza të tërë.

Si shumë të tjerë, ai frikësohet për ekzistencën e fermerëve nëse udhëheqësit e BE-së miratojnë marrëveshjen CETA.

“Nëse miratohet CETA nuk do të mbajmë dot fermën. Çmimet do të bien, do të duhet të ndalojmë prodhimin dhe kështu do të na vijë fundi,”- thotë Karin.

Në dallim nga rajoni më i pasur flameng, fermerët në Wallonia kanë lobuar për vite qeverinë e tyre rajonale që të bllokojë marrëveshjen CETA:

“Çdo vit humbasim 500 ferma familjare. Shohim se konkurenca i shërben vetëm fermave të mëdha. Do të humbasin të gjitha vendet e punës të lidhura me fermat familjare.”

Mijëra vetë demonstruan në Bruksel muajin e kaluar kundër CETA-s, madje edhe kundër marrëveshjes së propozuar me SHBA-në, marrëveshja TTIP.

Marrëveshja CETA është shndërruar në një test të rëndësishëm për aftësinë e Komisionit Evropian të ushtrojë fuqinë e tij për të negociuar marrëveshje tregtare si TTIP. BE frikësohet për reputacionin dhe besueshmërinë e saj në tregtinë ndërkombëtare, duke qenë se blloku nuk është i sigurtë nëse do të përfundojë marrëveshjen CETA brenda kësaj jave, duke ulur kështu edhe gjasat për nënshkrimin e marrëveshjes TTIP me SHBA-në:

“Nëse nuk nënshkruhet CETA, nuk është ndonjë problem i madh pasi kemi tregti që zhvillohet sipas OBT-së. Por, problemi në OBT është se aty nuk ka negocime, pra nuk ka mundësi për tregje të reja. Kjo është shumë problematike për shërbimet. Do të jetë mundësia e vetme për evropianët të hyjnë në tregun e shërbimeve në Kanada, si firmat e konsulencës, ato bankare dhe të sigurimeve.”

Duke fituar më tej mbështetjen e fermerëve belgë, Kryeministri i rajonit Wallonia thotë se nuk do të zmbrapset megjithë presionin e takimit të udhëheqësve të 28 vendeve të BE-së.

XS
SM
MD
LG